Dosje

Novator nën diktaturë, me 7 klasë shkollë! Historia e rrallë e Siri Blakçorit në ‘Esencë’

6 Qershor, 22:00| Përditesimi: 6 Qershor, 22:14

  • Share

Kush ishte Siri Blakçori, mjeshtri që krijoi mjete të rëndësishme novatore për uzinat, fabrikat dhe ndërmarrjet shqiptare të para viteve 90-të?

Emisioni ‘Esencë’ në Report Tv, sjell ekskluzivisht historinë e novatorit nën diktaturë, me 7 klasë shkollë. Flet në studio për gazetarin Eljan Tanini, nipi i tij, Xhevdet Blakçori.

Emisioni Esencë vjen çdo të premte, ora 21:00, në Report Tv.

Eljan Tanini: -Xhevdet, mirë se erdhe në Esencë. Na vjen nder që sot do të flasim për një figurë kaq interesante dhe të pazakontë siç ishte Siri Blakçori!

Xhevdet Blakçori: -Faleminderit Eljan. Është kënaqësi dhe përgjegjësi të ndaj me ju kujtimet për një njeri që la gjurmë, jo vetëm në familje, por edhe në industri, arsim e shpikje.

Eljan Tanini: -Le të kthehemi pak më pas në kohë. Si nisi rrugëtimi i familjes suaj në Shqipëri?

Xhevdet Blakçori: -Gjithçka fillon me Muharrem Blakçorin, gjyshin tim. Ai ishte një dijetar nga Peja, i përndjekur nga serbët, që gjeti strehë në Shqipëri. Nën diktaturë, për rreth 6vite, përktheu Kuranin, punë që e bëri i mbyllur në shtëpi. Ndërroi jetë vetëm gjashtë muaj pasi e mbaroi përkthimin.

Eljan Tanini: -Një sakrificë e madhe... Po Siri Blakçori?

Xhevdet Blakçori: -Siri ishte djali i Muharremit. Ai ishte një fëmijë jashtëzakonisht i talentuar. Edhe pse ishte vetëm me 7-vjeçare, lexonte vetë libra mekanike, inxhinierike… ishte autodidakt i rrallë. Thuhej se “hekuri trembej nga Siri”, sepse kishte aftësinë të përpunonte çdo lloj materiali.

Eljan Tanini: -Ka diçka thuajse mitike në atë që thua!

Xhevdet Blakçori: -Po, ishte realitet. Në klasën e dytë mësuesi e pa Siriun teksa punonte me tel duke bërë një lule dhe e thirri në mësim. Siri i tha fjalë për fjalë gjithë shpjegimin që sapo kishte dhënë ai. Kishte një inteligjencë të natyrshme, pra e kishte mendjen në mësim teksa merrej me lulen e tij prej teli.

Eljan Tanini: -Çfarë bëri më vonë në jetë?

Xhevdet Blakçori: -Filloi të punonte privat në një dyqan armësh, rregullonte armë zjarri si armëtar. Më pas në SMT dhe në ndërmarrje të ndryshme shtetërore. Në vitet 60-64, kur makineritë ishin të pakta, ai prodhoi mjete, pjesë këmbimi, biella banke për motorë, pajisje për bobina, inkubatorë për zogjtë, seleksionues orizi… një listë e gjatë sendesh të tilla…

Eljan Tanini: -Duket sikur ishte gjithmonë një hap para teknologjisë së kohës!

Xhevdet Blakçori: -Pa diskutim. U bë Mjeshtër i Madh i Punës. Punoi me okside hekuri për të bërë pigmente, krijoi makineri për filetimin e vidave, për prodhimin e lenteve optike, për prerje xhami… një linjë për gjilpëra që e kishte parë në Kinë e i kopjoi me saktësi e ku më pas i krijoi këtu.

Eljan Tanini: -Nuk e kishte mbaruar as shkollën e mesme?

Xhevdet Blakçori: -Jo. Kishte vetëm shtatëvjeçaren. Por për ne, ai ishte shkollë më vete. Madje ndihmonte motrën time me detyrat e matematikës kur ishte në maturë, i zgjidhi një problem përmes metodës së elipsit. Nga ajo lindi edhe shpikja e elipsografit, që u çua në Universitetin e Tiranës dhe një kopje në Paris.

Eljan Tanini: -Ky është një nivel tjetër. Shkenca dhe arti i shpikjes bashkë, ose i novacionit!

Xhevdet Blakçori: -Po, krijoi edhe pajisje për hiperbolë dhe parabolë. Më vonë shkoi në ndërmarrje artistike, në fabrikën e bakrit, në fabrikën e qelqit, atje bëri edhe diamantë artificialë. Në një hapësirë të vogël që ia morën më vonë, një hapsirë 4-5 m² nga një fabrikë me 6000 m².

Kudo ku ka punuar ka lënë gjurmët e tij, ka lënë edhe shënime. Në vitin 60-64 ato punë që bënte ai vlerësoheshin shumë, kishte shumë vlerë, makineri nuk kishte dhe pjesë këmbimi, atje ai ka bërë barela banke për motora, për biellat e makinerive bujqësore, kur shkoi ushtar bëri mjete për transformatorët, për bobinat, më pas punoi në kooperativa bujqësore ku bëri një inkubator për klloçkat, seleksionues për farën e orizit, në vitin 1964 në fabrikën e gozhdë bulonave në Kavajë bëri makineri për prerjen e instrumentave prerës. 

Me prishjen nga Bashkimi Sovjetik i futet një studimi dhe dështimesh ku arriti të prodhojë krehëra filetimi për bulona ku më pas u bë Mjeshtër i Madh i Punës, oksidet e hekurit i bëri pigmente, më pas bëri një makinë për filetimin e vidave metrike, më pas linjën e gjilpërave të dorës të cilën e kopjoi në Kinë kur shkoi për specializim, bëri një linjë për xingimin e telit e cila nuk doli kurrë nga aksi, linjë për prodhim rëndelesh, linjë për zinxhir kafshësh.

Krijon makineri për dredhjen e fijeve, ka shkuar në ndërmarrjen e bakrit ku ka bërë forma dhe modele të ndryshme, më pas ka bërë ndryshime dhe të tjera veprime në Fabrikën e Qelqit e të Xhamit, si karroca për prerjen e xhamit, makineri për prodhimin e lenteve konkave dhe konvekse, është zgjedhur gjithashtu edhe deputet Ka bërë diamantë artificialë. Vinte në shtëpi një herë në 3-4 ditë. Kemi të bëjmë me një njeri autodidakt, ai quhej Siri Blakçori, këto që unë po them janë të vërtetuara

Eljan Tanini: -Si ishte ai si njeri, përtej shpikjeve?

Xhevdet Blakçori: -Një shembull në punë. Shokët i thoshin “ku e ke krevatin” ngaqë rrinte më shumë në punë se në shtëpi. Kishte një vend pune në shtëpi ku vinin njerëzit për ndreqje armësh. Kur i shihnin armët e tyre, nuk besonin dot që ishin riparuar aq mirë!

Eljan Tanini: -U përball edhe me sfida familjare, apo jo?

Xhevdet Blakçori: -Po, e shoqja u sëmur me tumor. Por ai përballoi gjithçka përmes punës. Jetoi me përkushtim ndaj familjes, ndaj ligjit, e kishim amanet nga të parët, por  edhe ndaj dijes.

Eljan Tanini: -Çfarë ndodhi në fund?

Xhevdet Blakçori: -Ai ndërroi jetë dy orë pasi la punën. Asnjëherë nuk e pa veten jashtë punës. Ka qenë mikpritës për shumë kosovarë, për ne politika s’ka qenë prioritet. Në stadiumin e Kavajës në mars të 90-s, kur u hodhën veprat e Enver Hoxhës, familja jonë ishte aty. Por ne zgjodhëm gjithmonë dijen dhe punën.

Eljan Tanini: -Një histori e pabesueshme, por shumë frymëzuese. Xhevdet, faleminderit që ndave këtë pasuri me ne.

Xhevdet Blakçori: -Faleminderit juve për vëmendjen dhe për respektin ndaj trashëgimisë sonë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?