Sociale

‘Nuk çojmë dot të sëmurët në spital’, banorët e Varibopës ngrihen në protestë: Rrugën e dëmtoi Ujësjellësi! Bashkia e Fierit: Do ta asfaltojmë

22 Janar, 15:38| Përditesimi: 22 Janar, 16:01

  • Share

Dhjetëra banorë të fshatit Varibop në Fier protestuan këtë të mërkurë për rrugën, që sipas tyre është dëmtuar nga Shoqëria Rajonale e Ujësjellës- Kanalizimeve gjatë riparimit të tubacioneve. Rruga me baltë, dy kilometra nga autostrada Levan- Tepelenë deri në qendër të fshatit, e ka vështirësuar për 140 familje.

“Ujësjellësi e dëmtoi rrugën është bërë e pakalueshme. S’kemi me çfarë të çojmë të sëmurët në spital se nuk kalon as makina. Jeta e njeriut varet për 10 minuta, nëse s’vjen ambulanca ikën jeta e njeriut. Qajnë fëmijët për të shkuar në shkollë se nuk kalohet këtu vetëm me çizme”, thanë ata.

Rrjeti i Ujesjellesit për fshatin Varibop eshte investim i vitit 2019 dhe punimet kanë konsistuar në ndarjen nga magjistrali i Patosit dhe furnizimin nga një pus individual i dedikuar për këtë rrjet. Sipas banorëve punimet 6 vite më parë janë kryer pa cilësi, ndaj dhe defektet janë të shpeshta.

“Investimi u bë pa kriter, pa inxhinier, rrjedh ujë gjithandej! Kur vjen në çezma vjen i ndotur, është i pa pijshëm”, tha një tjetër banor.

Shoqëria Rajonale e Ujesjelles- Kanalizimeve në Fier deklaron për mediat se gjatë ndërhyrjes për eleminimin e avarive është cënuar vetem një siperfaqe e kufizuar dhe jo gjithë segmenti prej 2 km. Ndërsa Bashkia e Fierit si enti pronar i kësaj rruge rurale me çakull tha se asfaltimi do të nisë së shpejti dhe aktualisht është në fazë tenderimi.

R.D/E.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?