Shkodër- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zbulon hotelin në Velipojë të Shkodrës, që nuk kishte deklaruar 2,3 mln euro të ardhura përgjatë pesë viteve të fundit, duke i shkaktuar dëm financiar me evazion fiskal buxhetit, duke e denoncuar edhe në Prokurori.
Gjithashtu administrata tatimore në operacionin e ndërmarrë, zbuloi se subjekti jo vetëm që e kishte ndarë aktivitetin në dy NIPT-e brenda familjes, por nuk lëshonte as fatura dhe mbante punonjës të padeklaruar. Për të dyja rastet u gjobit me 25 mijë lekë në secilin NIPT për moslëshim faturash dhe 50 mijë lekë në një prej tyre për punonjësit e padeklaruar.
“Hotel me 52 dhoma, 2 nipte nga dy persona me lidhje familjare, që ngrinte dyshime për fragmentarizim artificial për të shmangur tatimet. Subjekti deklaronte 11-29% të përdorimit të kapaciteteve në zonën shumë të frekuentuar. Rezultoi se 20 dhoma në secilin NIPT nuk ishin të regjistruara. Nuk lëshoheshin fatura dhe kishte punonjës të padeklaruar. 25 mijë lekë gjobë për moslëshim fature dhe 50 mijë lekë gjobë për punonjës të padeklaruar. Subjekti rezultoi nga analiza se nuk kishte deklaruar rreth 2,3 mln euro të ardhura përgjatë periudhës 2020-2025. Për këtë shkak dosja iu referua për veprime të mëtejshme penale me denoncim në Prokurorinë e Shkodrës”, njoftoi ndër të tjera DPT-ja ditën e sotme (12 korrik).
Institucioni ndau në rrjetin Facebook edhe një video të aksionit dhe detajet e tij.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:
“Në kuadër të Planit Operacional të Turizmit, Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në zonat turistike me në fokus pagat indikative, në kuadër të luftës kundër informalitetit të pagave dhe evazionit fiskal.
Në Velipojë, pas një analize të thelluar të riskut, u identifikua 1 hotel, që operonte me 2 NIPT-e, duke ngritur dyshime për ndarje artificiale të aktivitetit me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Gjatë kontrollit të zhvilluar me kamera trupi nga Task-Forca e Terrenit dhe Hetimi Tatimor, u konstatuan shkelje të rënda si: Moslëshimi i faturave tatimore;
Punonjës të padeklaruar;
Dhoma të paregjistruara në përgjegjësinë e TVSH-së;
Mosdeklarim real i kapaciteteve dhe qarkullimit.
Administrata Tatimore mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një klime të ndershme dhe transparente për biznesin, ndaj fton të gjithë tatimpaguesit të respektojnë detyrimet ligjore për të shmangur pasojat administrative apo penale, që rrjedhin nga ligji”.
Komente
