Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur një padi ndaj ish-ministrit për Punët e Jashtme dhe ish-kooridinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skënder Hyseni, për deklarim të pasaktë të pasurisë. Sipas padisë theksohet se Skënder Hyseni në formularin e deklarimit të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volksvagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Hyseni tha se kjo aktakuzë është një lëshim teknik e asgjë më tepër. “Po jam në dijeni dhe është e paqëndrueshme. Po është një lëshim teknik dhe asgjë më tepër. Vetura ka qenë duke u përdorur nga djali im dhe ka qenë thjesht lëshim teknik, janë bërë shpjegimet e duhura”, tha Hyseni për Betimin për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ashtu që nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skënder Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.