Arnold Schwarzenegger, ish-guvernator i Kalifornisë, do të përballet me procedura penale tatimore, pasi nuk deklaroi orën e shtrenjtë pas mbërritjes në Gjermani, tha një zyrtar i shtypit i Doganës së Mynihut për CNN të mërkurën.
“Ai nuk ka deklaruar një produkt. Një produkt që u importua nga vende jo anëtare të BE-së për të mbetur në BE. Dhe ky proces vlen për të gjithë”, tha zyrtari i shtypit Thomas Meister.
Meister tha se ish-guvernatori i Kalifornisë dhe ylli i filmit u lirua pasi u mbajt për më shumë se dy orë.
“Arnoldi u ndalua për tre orë sot në aeroportin e Mynihut për shkak se udhëtoi me një orë që do e nxjerrë në ankandin e bamirësisë së tij për krizën klimatike, nesër në Kitzbuhel (në Austri)”, tha një burim i afërt me aktorin për CNN.
Burimi tha se artikulli në fjalë ishte një orë e markës luksoze zvicerane Audemars Piguet dhe kushton 26 mijë euro.
Sipas një burimi, Schwarzenegger-it nuk iu kërkua të plotësonte një formular deklarate dhe ai iu përgjigj sinqerisht çdo pyetjeje nga doganierët.