Nju Jork- Më 10 janar, dhjetë ditë para se të betohet si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të marrë dënimin pasi u shpall fajtor në maj të vitit të kaluar për 34 akuza për mashtrim financiar në lidhje me skandalin e pagesës së fshehtë prej 130,000 dollarësh ndaj yllit të filmave pornografikë, Stormy Daniels.
Vendimi u njoftua nga gjyqtari i Gjykatës Supreme të Shtetit të Nju Jorkut, Juan Merchan, i cili udhëhoqi gjykimin që përfundoi me dënimin e Trumpit. Merchan shpjegoi se do të përdorë formulën e “lirimit të pakushtëzuar”, që do të thotë se do të konfirmojë vendimin e fajësisë, por pa vendosur burgim ose dënime alternative.
Teknikisht, kjo nuk do të jetë një fitore për Trump: përfundimi i çështjes do ta bëjë atë të parin president të dënuar penal që udhëheq Shtetet e Bashkuara. Dënimi do të shpallet pas një serie shtyrjesh të lidhura me afatet zgjedhore dhe me vendimin e Gjykatës së Lartë në favor të imunitetit presidencial.
Trump u shpall fajtor për mashtrim financiar pasi kishte blerë heshtjen e një akuzueseje. Trump kishte fshehur një pagesë të paligjshme ndaj aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila kishte kërcënuar në vitin 2016, gjatë fushatës zgjedhore, se do të zbulonte se kishte pasur marrëdhënie seksuale me të.
Më pas, Trump fitoi zgjedhjet. Tetë vjet më vonë, ai u rizgjodh president. Që nga dita e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024, avokatët e tij u përpoqën me çdo kusht të anulojnë procesin Stormy, në mënyrë që të mos shpallet fajtor, pavarësisht dënimit, qoftë edhe simbolik.
Në sistemin amerikan, procesi penal ndahet në dy faza në shumë raste: në fazën e parë, juria e madhe jep verdiktin e pafajësisë ose fajësisë. Në fazën e dytë, në rast dënimi, gjyqtari që udhëhoqi procesin vendos masën e dënimit.
Avokatët e Trump-it kishin argumentuar se si president i zgjedhur, ai kishte fituar të drejtën për të mbyllur çështjen, një hipotezë që gjyqtari Merchan e hodhi poshtë, duke e cilësuar atë si një “teori të re”.
“I pandehuri - kishte shkruar Merchan në vendim - nuk ka paraqitur argumente të vlefshme për të bindur gjykatën të veprojë ndryshe”. “Në momentin kur një person bëhet president - kishte shtuar ai - nuk mund të anulohen retroaktivisht krimet e kryera dhe ai nuk gëzon imunitetin e presidentëve të zgjedhur”.
Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, kishte sugjeruar mundësinë e shtyrjes së dënimit deri në vitin 2029, në përputhje me përfundimin e mandatit presidencial të Trump-it. Merchan vendosi që procesi të mbyllet para se magnati të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke zyrtarizuar megjithatë statusin e tij si i dënuar.
Zëdhënësi i Trump-it, Steven Cheung, e quajti këtë vendim “një shkelje të drejtpërdrejtë të vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin dhe të jurisprudencës së hershme”. “Kjo çështje e paligjshme - deklaroi ai - nuk duhet të ishte ndjekur kurrë dhe Kushtetuta kërkon që ajo të mbyllet menjëherë”.