Igli Hasani nuk do të jetë më drejtues i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në një reagim në rrjetin social facebook, Hasani falënderon kryeministrin Edi Rama që i besoi për 2 vite drejtimin e marrëdhënieve diplomatike ndërsa i uron suksese zëvëndësueses së tij, Elisa Spiropali.
Tashmë Igli Hasani do të vijojë të drejtojë një komision në parlament për çështjet që kanë të bëjnë me Europën dhe Punët e Jashtme.
"Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim", shkruan Igli Hasani.
Komente
