Gjykata e Elbasanit

Nuk dokumentoi mjekimin e një 26-vjeçari që u plagos me thikë, Gjykata e Elbasanit liron mjekun nga qelia! Cakton masën detyrim paraqitje, pezullohet edhe nga detyra

13 Tetor, 14:22| Përditesimi: 13 Tetor, 14:30

  • Share

ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka liruar nga qelia mjekun e arrestuar më datë 12 tetor për shpërdorim detyre, pasi nuk kishte shënuar në kartelë asnjë informacion mbi mjekimin e një 26-vjeçari i cili ishte plagosur me thikë nga një i dehur 59-vjeçar.

Gjyqtari Ardit Kuka vendosi ndaj mjekut Klidit Dodi masën detyrim paraqitje, si edhe ka urdhëruar pezullimin e tij nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, Dodit po ashtu nuk i lejohet të largohet jashtë territorit shqiptar, si edhe me urdhër të gjykatës duhet të paraqitet në policinë gjyqësore javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ditë e hënë, ora 12:00.

Dodi akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk kishte shënuar në kartelë mjekimin për 26-vjeçarin që u plagos me thikë më 12 tetor në Elbasan.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Elbasanit

Sot më datë 13.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me trup gjykues të përbërë nga Gjyqtar z. Ardit Kuka në përfundim të gjykimit vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Klidit Dodi,  i ndaluar nga policia gjyqësore, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

3. Caktimin e masave të sigurimit personal “Detyrimit për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, “Ndalimit të daljes jashtë shtetit ”dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës a shërbimit publik” të parashikuar nga nenet 233, 234 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Klidit Dodi.

4. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të paraqitet në policinë gjyqësore javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ditë e hënë, ora 12:00.

5. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë.

6. Urdhërohet personi nën hetim Klidit Dodi, që të depozitojë pranë prokurorisë mjetet e identifikimit pasaportë dhe kartë identiteti.

7. Urdhërohet pezullimi nga detyra e mjekut e personit nën hetim Klidit Dodi

8. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i personit nën hetim Klidit Dodi, nëse nuk mbahet për ndonjë masë sigurimi tjetër ose dënim penal tjetër.

9. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për ekzekutimin e këtij vendimi.

10. Shpenzimet gjyqësore lihen siç janë bërë.

11. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të arsyetuar të tij.

Palët e pranishme morën dijeni.

 U shpall në Elbasan, më datë 13.10.2024.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?