Gjykata Tiranë nuk ka pranuar tërheqjen e gjyqtarit Agron Zhukri nga shqyrtimi i Statutit të Berishës. Agron Zhukrit i ra shorti por 2 ditë më pas u tërhoq, vendim të cilin Gjykata nuk ia ka pranuar. Lajmin e ka dhënë vetë Gjykata e Tiranës, e cila më parë nuk e kishte konfirmuar një lajm të tillë të publikuar në Shqiptarja.com.
"Ju informoj lidhur me kërkesën e depozituar ne gjykate nga ana e Partisë Demokratike me objekt "Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje te Kuvendit Kombëtar” ju bej me dije se pas hedhjes së shortit, gjyqtar i çështjes caktuar gjyqtar Agron Zhukri. Ky i fundit, pasi ka administruar dosjen gjyqësore ka paraqitur para Zv/Kryetarit të Gjykatës kërkesën për heqje dore nga gjykimi. Bazuar në nenet 72 dhe 73 te K.Pr. Civile, është vendosur "Mospranim i kërkesës", nga ana e ZV/Kryetarit te Gjykatës. Ne këto kushte beshtja është në gjykim tek gjyqtar Agron Zhukri, në pritje për t'ju nënshtruar procedurave te shqyrtimit gjyqësor", ka njoftuar Gjykata e Tiranës sot.
Agron Zhukri, gjyqtari që u caktua nga goglat që të verifikonte ligjshmërinë e Statutit të PD, miratuar në Kuvendin e Partisë Demokratike, thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor 2021, në stadiumin kombëtar, u tërhoq nga çështja 4 ditë më parë. Lajmin e konfirmuan burime për Report Tv, edhe pse zyrtarisht Gjykata e Tiranës nuk e pranoi deri ditën e sotme. Vendimi i tij i mor pasi Shqiptarja.com denoncoi dosjen e karrierës së tij dhe pasurinë marramendëse.
Në artikullin e shkruar nga gazetari Adriatik Doci evidentohet se Zhukri është pjesë e gjyqtarëve, të cilën nuk kanë kaluar procesin e Vetingut. Por më shumë se sa për vendimet, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë. Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve. Nuk dihet se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’.
Kujtojmë se Statuti i dërguar në gjykatë nga grupi i Berishës, në emër të Partisë Demokratike, është prodhuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Kuvendi i thirrur nga Berisha, miratoi me ngritje dore ndryshimet në Statut, duke e bërë të pamundur verifikimin e votës së 4934 delegatëve të pranishëm. Ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, më shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë. PD-ja gjendet para një situate aspak të lehtë, me 2 statute. Një i bërë në Kuvendin e 17 korrikut dhe një i bërë së fundmi në Kuvendin e Berishës në 11 dhjetor. Të dyja palët nuk njohin statutet e njëra-tjetrës.