Nuk e dimë nëse ka dialog mes të kundërtave në politikën shqiptare. Dikush e mohon, dikush e pohon, ngjarjet flasin dhe rrjedha e tyre është dëshmia më e mirë e asaj që po ndodh. Po ndodh që një pjesë e politikës agresive dhe e palogjikshme në vend, po futet në institucione. Po normalizohet. Ky është një rezultat i parë, i dukshëm. Ndërkohë, të tjerë politikanë po ua kujtojnë një nga një çfarë bënë, si e bënë, si u shitën apo si u blenë.
Një politikan, sado i mistershëm të mendohet, herët a vonë me firmat në ligje, me ligjërimin në publik, dekodifikohet përpara votuesve dhe popullit të tërë. Nëse dikush ka blerë, nëse dikush është shitur, herët a vonë pazaret do të shpalosen nën erërat e stinëve dhe fatura, e ëmbël apo e hidhur, do t’i mbërrijë atij apo atyre që e kanë me hile në kurriz të shqiptarëve këtë gjë.
Por nëse dialogu, marrëveshja, mirekuptimi, negociata, është diçka që lejon mbarëvajtjen dhe përmirësimin e shtetformimit, kërkesës së llogarisë, funksionimit më normal, (edhe pse jo në perfeksion), të ndërtimit dhe rindërtimit të mirëqënies së shqiptarëve, atëherë, duhet pritur ta provojmë dhe ta shikojmë.
Nuk duhet të kemi frikë nga asnjë lloj dialogu, me askënd. Mbi dialog janë ndërtuar themelet dhe shtyllat e shoqërive më moderne e më demokratike në glob. Me dialog, qoftë një familje, qoftë një shoqëri, mund të ketë jetë të gjatë e mëndje të shëndetshme. Mbyllja e diskutimit, mungesa e përplasjes së mendimeve të kundërta, mbyllja e gojës, heshtja e më keq nga të gjitha, dhuna, janë fenomenet që duhet të na friksojnë më tepër se çdo gjë. Askush nuk duhet të trishtohet nëse është i vërtetë dialogu mes politikanëve, mes armiqve; vdekja e tij, do të duhet vërtetë të na alarmojë.