Futbollisti i Rijekës Antonio Colak ka reguar për herë të parë pas goditjes që mori nga Eros Grezda në parkimin e stadiumit menjëherë pas gjysmëfinales së Kupës së Kroacisë. Colak hedh poshtë pretendimet e futbollistit të kombëtares shqiptare duke deklaruar se nuk e ka fyer për kombësinë, ndërsa bën thirrje që Grezda ti nënshtrohet ekspertëve pasi nuk është hera e parë që bën këto veprime.
“Më vjen keq që ndodhi incidenti në fjalë, pasi nuk kisha asnjë problem me Grezdën dhe lojtarët e Osijek, brenda apo jashtë fushës. Emocionet mbizotërojnë në fushë, por jashtë fushe i japim dorën njëri-tjetrit dhe jemi të gjithë miq të mirë. Kur mendoja se sulmi fizik ishte gjëja më e keqe që ndodhi, lexova sot gënjeshtrat në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të NK Osijek ku unë akuzohem se kam lëshuar fyerje me baza kombësie, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën.
Ndaj këtu i them të kërkojë falje dhe për të mirën e tij uroj që të kërkojë ndihmë nga ekspertët pasi me sa më kanë informuar, ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Unë jam i lumtur që qëndrova i qetë në atë situatë pasi nuk aprovoj asnjë lloj dhune dhe do të ishte një mesazh i gabuar për të gjithë të rinjtë për të cilët ne futbollistët jemi model,”-thotë Colak në deklaratën e shpërndarë për mediat.