Nuk humbet tradita/ Ritet dhe lojërat popullore performohen nga të gjithë moshat në Devoll

26 Korrik, 22:34| Përditesimi: 26 Korrik, 22:42

  • Share

Traditat, lojërat popullore dhe ritet gjallëruan qytetin e Devollit.

Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Lojërave Popullore dhe Riteve i organizuar për të dytin vit radhazi, bëri bashkë artistë nga Dimali, Lezha, Elbasani, Lushnja, Devolli dhe Gjirokastra.

"Rituali i Dashit", i cili tregon të gjithë momentin e bërjes kurban, "Rituali i Kaprollës" – cicërimat e zogjve të cilin e ngrijnë në kërcim apo "Loja e Iriqëve” të cilët garojnë për të marrë mollën ishin vetëm disa nga aktivitetet e organizuara.

Nuk munguan as numrat humoristikë, vallet me veshje popullore e parada në qytet.

“Karakteristikë e kësaj krahinë është mikpritja, bujaria, fisnikëria dhe ajo që e quajmë kryevlerë të vlerave, vallja devolliçe.  Do të kemi shumë surpriza. Devolli ju mirëpret në çdo stinë dhe event të mundshëm. Veshja, në shumë fshatra të Devollit mbahet jo vetëm si relike e bukur por edhe në përditshmëri. Të mos flasim për tekstet e bukura të këngëve”, tha një nga garueset e grupit të Devollit.

“Vijmë nga bashkia Dimal. Qarku i Beratit. Do të performojmë 3 numra humoristik. Është hera e dytë. Çdo zonë ka të bukurën e vet, por kjo zonë na duket më e bukur. Shohim toka të mbjella, punuara”

E veçanta e këtij edicioni ishte edhe prezantimi i këtyre traditave nga më shumë të vegjël e të rinj.

“Jemi në edicionin e dytë. Mesa duket do të mbetet stacioni për tu zhvilluar kjo tipologjie festivali. Është interesante që këtë vit kemi një numër të jashtëzakonshëm të rinjsh dhe fëmijësh që do të interpretojnë lojëra popullore dhe rite të zonave që ata përfaqësojnë. Do jetë e vështirë për jurinë. Është një nismë shumë e mirë që tregohet me pjesëmarrjen” tha historiani Niko Kotherja.

“Kemi ditë që punojmë. Kemi sjellë lojëra të trevës sonë. Është i harmonizuar me përfshirjen e të tre grup moshave. Është diçka e bukur që kjo trashëgimi, trashëgohet edhe ndër breza”, tregoi Sokol Çeka, koreograf i QKK Devoll.

Për Kryebashkiakun e Devollit, Eduart Duro ky festival synohet që të kthehet në një traditë për krahinën.

“Është viti i dytë. Është nje veprimtari që duhet ta kthejmë në traditë. Të gjithë grupet pjesëmarrëse të mbeten të kënaqura. Turizmi është kryefjala e çdo bashkie, por kjo shërben më tepër që ne të transmetojmë ritet tradicionale të zonave dhe ti transmetojmë brez pas brezi”, tha kryebashkiaku i Devollit, Eduart Duro.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?