Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i zhgënjyer, por nuk është dorëzuar me Vladimir Putin. Në një intervistë për BBC, presidenti amerikan tha se nuk i besonte thuajse askujt kur u pyet nëse i besonte liderit rus, ndërsa përmendi planet për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe vendosjen e tarifave të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim brenda 50 ditësh.
Trump tha se katër herë ka pasur pritshmëri se një marrëveshje me Putinin ishte afër, por çdo herë është prishur nga veprime të papritura të Kremlinit.
“Kemi një bisedë të mirë, mendoj se jemi afër marrëveshjes dhe pastaj ai rrëzon një ndërtesë në Kiev”, tha Trump. “Jam i zhgënjyer me të, por nuk kam mbaruar me të. Por jam i zhgënjyer prej tij”.
Në intervistën që pasoi takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump ndryshoi tonin ndaj aleancës, të cilën dikur e ka quajtur “të vjetëruar". Ai deklaroi se NATO tani po tregohet më e përgjegjshme financiarisht dhe e konsideroi mbrojtjen kolektive si thelbësore për vendet më të vogla.
I pyetur nëse ka ndryshuar pas atentatit ndaj tij një vit më parë në një miting në Pensilvani, Trump u përgjigj se përpiqet të mos mendojë për këtë moment.
“Nuk më pëlqen të mendoj nëse më ka ndryshuar,” tha ai, duke shtuar se “mund të më ndryshojë jetën”.
Komente
