Eshtë dita e pavarësisë së Shqipërisë, një ditë që na bën krenarë e të gëzuar si shqiptarë. Jemi një popull me shumë plagë në trup, i ndarë në territore e të shpërndarë kudo në botë, por jemi, ekzistojmë dhe më të mirët prej nesh po përpiqen të bëjnë shumë, kudo janë. Në ditën e Pavarësisë të gjithë duan e thonë gjëra të mëdha; unë kam dëshirë të them gjëra të vogla, pasi besoj se gjërat e vogla kanë forcën e madhe të na ndryshojnë e të na përmirësojnë. Një gjë e vogël, të cilën, nëse kemi vullnetin ta ndryshojmë mund të na përmirësojë, mendoj se është shprehja shabllon: Janë të gjithë njësoj! Një shprehje që e urrenim në kohën e diktaturës, atëherë kur na detyronim të dukeshim të gjithë njësoj, sot e përdorim pa u menduar gjatë për këdo. Këtë, do të dëshiroja shumë, ta harrojmë: Nuk jemi të gjithë njësoj!
Kush është i fokusuar dhe i ngurtësuar në preferenca idesh, grupimesh, përkatësishë, i rezervon vetes një horizont të përcaktuar që mund të jetë në ngjyrën e kuqe, blu, jeshile apo portokalli. Shumë e bëjnë të vetëdijshëm këtë zgjedhje, pasi ekzistenca është më e lehtë në përkatësinë e një familje. Të tjerë, zgjedhin të jenë më të lirë: Presin të shohin horizontin përballë e të zgjedhin cili iu pëlqen për ta përqafuar në ide, veprime e përkatësi. Janë një pjesë tjetër, që shohin e deklarojnë: Janë të gjithë njësoj! Përditë dëgjohen e shkruhen fraza të tilla shabllon: Janë të gjithë njësoj! Shqiptarët? Janë të gjithë njjësoj! Politikanët? Janë të gjithë njësoj! Gjykatësit? Janë të gjithë njësoj! Gazetarët? Janë të gjithë njësoj! Mjekët? Janë të gjithë njësoj! Emigrantët? Janë të gjithë njësoj!
Në Shqipëri dikush dëshiron, punon që të gjithë të dukemi njësoj! Jo Zonja e Zotërinj! Nuk jemi të gjithë njësoj! Eshtë e lodhshme për disa të shohin e të pranojnë dallimet mes individëve, por është pikërisht kjo gjë që duhet bërë: Të dallojmë që nuk jemi të gjithë njësoj dhe se detajet bëjnë diferencën. Nuk mund të rrimë pa parë në këtë kohë pandemie mjekë të jashtëzakonshëm nga ndonjë që edhe në këto kohë është hileqar, politikanë të punës, nga politikanë që gënjejnë dhe manipulojnë, gjykatës që po kalojnë çertifikatën e pastërtisë së figurës, nga të tjerë që jemi mësuar të shohim e dëgjojmë, të rinj që mësojnë dhe ëndërrojnë, krijojnë e ndërtojnë, emigrantë që nga e para kanë ngritur me ndershmëri, punë e pasion jetët e tyre të ndershme, të bukura e të vlefshme në botën mbarë, duke krijuar kështu minikështjella të vogla kuq e zi. Ata, kudo në botë, janë patriotë të mirë: punëtorë, mësues, shkencëtarë, inxhinierë, mjekë. Përqëndrimi te detajet, dallimi i një njeriu që vepron mirë e vlefshëm mes mijëra aspekteve njerëzore që secili prej nesh shpalos, është shërbimi më patriotik që bashkë mund t’i bëjmë Shqipërisë dhe vetes.
Thjeshte Jeni e mrrekullueshme.Analize e persosur.
Përgjigju