Seanca në KPK tre vitë më parë, për magjistraten Saemira Hila

Nuk justifikoi dot 7,1 mln lekë, Vetingu i KPA shkarkon gjyqtaren e Lushnjës! Mbetet në fuqi vendimi i KPK për Saemira Hilën

12 Nëntor, 16:41| Përditesimi: 12 Nëntor, 16:47

  • Share

Tiranë- Vetingu i KPA-së lë në fuqi vendimin e shkallës së parë të KPK dhe shkarkon gjyqtaren e Gjykatës së Lushnjës, Saemira Hila, për çështjen e mosjustifikimit të pasurisë.

Vendimi është marrë ditën e sotme, teksa shkarkimi i saj ishte vendosur prej 5 Nëntorit të vitit 2021.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 86/2021, datë 30.12.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Saemira Hila, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 473, datë 05.11.2021”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Dhe në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, “bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash”, vendosi:

“Lënien në fuqi të vendimit nr. 473, datë 05.11.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Saemira Hila”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte refuzuar kërkesën e gjyqtares Saemira Hila për të rihapur procesin në dy kriteret e tjera dhe njoftoi shkarkimin e saj tre vite më parë, që u la sot në fuqi.

Trupa e shkallës ë parë ishte e përbërë nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, me relatore Pamela Qirko dhe anëtari i trupës Roland Ilia.

Në relatim gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se pas hetimit të KPK Hila rezultonte me bilanc negativ prej 7.1 milion lekësh, i cili thuajse i gjithi lidhej me procedurat e ndjekura në blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Në atë seancë vlerësimi, Qirko tha se “subjektit i ishte kaluar barrë prove mbi kursimet e nënës së ndjerë, kursimet dhe të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, një huadhënie mes bashkëshortit dhe vëllezërve dhe transaksionet bazuar mbi kursimet 67 mijë dollarë që familja kishte pasur”.

Hila në përgjigje të kësaj barre prove këmbënguli se të ardhurat dhe burimet e saj financiare ishin të ligjshme. Ajo kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket analizës financiare te prindërve dhe solli sipas saj prova mbi të ardhurat e bashkëshortit si emigrant në Itali.

Saemira Hila e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi prej gati dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?