Unifroma e UÇK-së

Opinion

Nuk ka fitore të Çështjes së Kosovës, pa fituar edhe Paqen

28 Shtator 2021, 14:03| Përditesimi: 28 Shtator 2021, 14:07

  • Share

Lufta e UÇK dhe ndërhyrja e NATO në 24 Mars 1999 hapën një faqe të re jo vetëm në Historinë e Kosovës por dhe të Historisë së Shqipërisë në të cilën ajo është e mishëruar. Duhet të pranojmë se, të paktën që nga vitet 1820, ne shqiptarët e kemi humbur kohën historike dhe jo vetëm një herë. Jo se nuk kemi luftuar, as se na kanë munguar heronjtë por nuk e kemi kapur ritmin e kohës historike dhe kemi rezultuar humbës të mëdhenj në Çështjen Kombëtare. Fundi i Luftës Ruso-Turke solli Traktatin e Shën Stefanit në 3 Mars 1878, vuri gurin mallkimi për shqiptarët.

Ky traktat kënaqi orekset ruso-sllave. Porta e Lartë e Stambollit e gjeti të udhës që Trojet Shqiptare ti jepte si plaçkë lufte. Në Kongresin e Berlinit (13 qershor-3 korrik 1878), arroganca e Fuqive të Mëdha e çertifikoi Traktatin e Shën Stefanit; për më keq la të hapur kafshimin e Shqipërisë nga jugu dhe juglindja. Prej këtu Çështja Kombëtare, si në asnjë rast tjetër, hyri në një labirinth të vështirë. Një luftë e pashëmbullt u bë deri në Shpalljen e Pavarsisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Qeveria e Vlorës injoroi termin Kompesim Territorial për aleatët që mundën Portën e Lartë. Por përsëri Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Londër, 16 dhjetor 1912-29 korrik 1913, i qëndruan mëkatit të tyre. Ne nuk e zhbëmë dot Shën Stefanin, humbëm edhe jugun e juglindjen. Kështu ndodhi edhe me dy luftrat botërore. Epopeja e UÇK solli ditën e lume kur Shën Stefani filloi të zhbëhej. U hap drita që të shëronim plagët që na shkaktuan nga humbja e kohës historike. Më 3 qershor 1999 Millosheviçi pranoi kushtet e paqes sipas Marreveshjes së Kumanovës. Makina ushtarake serbe u gjunjëzua dhe i mblodhi gjymtyrët brenda kufijve të vet. Çështja Kosovës dolli nga arkivat ku e kishin syrgjynosur Perandoritë Evropiane dhe tashmë është mbi tavolinë. Pas luftës fati i sajë do të vendoset nga paqja; që ta fitojmë atë duhet të fitojmë paqen. Fitorja e paqes kërkon një betejë po aq të vështirë, në mos edhe më të vështirë, se sa fitorja e luftës. Që të shkojmë tek fitorja, duhet të jemi përherë në pozita sulmuese, pa dyshim me rrugë dhe me mjete paqësore.

Duhet të jemi aktivë kudo e kurdoherë në zhvillimet në shkallë rajonale, shkallë europiane e botërore. Mungesa do të thotë vend bosh, mungesë dëshire, mungesë aftësie, mungesë fuqie apo shfaqje frike për tu përballur me këdo kurdoherë dhe në çdo front. Duhet pjesmarrje dhe çlirim nga tërësia e komplekseve që historia e dhimbshme na i ka hedhur mbi kurriz. Fillozofia na mëson se ajo që dhëmb nuk harrohet. Por dhimbja nuk mund të shërohet duke e konservuar atë por duke u përballur me ata që ta kanë shkaktuar atë. Kur flasim për pjesmarrje në proceset politike, dipllomatike apo të karakterit ekonomik rajonal e më gjerë nuk ka pse të ndahemi në palë dhe të humbim energji mbi: “Nëse duhet të përfshihemi apo jo?!”. Të jemi në një mendje se pashmangësisht e pa mëdyshje duhet të përfshihemi. Dakord, të debatojmë fort se si duhet të përfshihemi. Kur themi se Paqja është një betejë më vehte, kuptohet se duhet të jemi të përgaditur për ta zhvilluar këtë betejë, të nxëmë sa më shumë dije, të kemi strategji dhe taktika të mirë menduara, të rakorduara mes nesh dhe me aleatët. Të jemi të zgjuar e të vendosur për të marrë atë që na takon.  Mos të harrojmë se ajo çka morëm përmes luftës është vetëm gjysma e Fitores.

Nëse humbim paqen, kemi humbur edhe atë që fituam nga lufta. Kemi kapur kohën historike, mos ta humbi atë por të rendim me ritmin e sajë; të përballemi me ashpërsinë, me veshtirësinë dhe me dredhinë e fushë betejës. Ndryshe…, mos o zot të kthehesh në pikën e ngrirjes! Tradhëtia nuk ka tjetër fytyrë. Na ka ndodhur edhe herë të tjera. Shpresoj të kemi nxjerrë mësime nga historia jonë e pashëmbullt.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?