Tirane- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato përforcoi edhe një herë mesazhin se Komisioni Evropian është gati për të mbështetur planet ambicioze të Shqipërisë, teksa nënvizoi se është thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave.
“Nisja e negociatave për grup-kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga ana e BE-së dhe shteteve anëtare, sepse në fund të fundit, siç e dini, vendimi iu takon shteteve anëtare”, theksoi Gonzato, i cili shtoi se, “nuk ka kohë për të hezituar apo për t’u zvarritur, sepse standardi apo piketa për çdo vendim rregullator të marrë nga ky parlament, nga qeveria apo nga pushteti vendor duhet të jenë “acqui”-të e BE-së”, tha Gonzato.
Ambasadori i BE-së nënvizoi se rruga tashmë është e qartë dhe duhet të jetë thelbësore tashmë që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave.
“Na duhet të përfitojmë nga kjo mundësi, sepse në kontekstin gjeopolitik më shumë sesa kurrë, vendet e BE-së kuptojnë që duhet të kompletohemi, jo të zgjerohemi, por të kompletohemi që t’i japim fuqinë dhe kapacitetin për të vepruar BE-së. Kemi po kështu nevojë që të kompletojmë për të ndjekur ambicien tonë të autonomisë strategjike”
“Paketa e zgjerimit e 2024-ës e KE-së, e miratuar në fillim të kësaj jave, ofron udhëzues të qartë për atë çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët, për këtë duhet udhëheqje e fortë dhe konsistente, mbështetje ndërpartiake e gjerë, një strukturë e konsoliduar dhe efiçente e negociatave, po kështu edhe mekanizma efikase konsultimi me aktorët e shoqërisë, duke qenë se flasim për një proces gjithë shoqëror”, , theksoi ai në fjalën e tij në nisjen e edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Europian.
Gonzato nënvizoi se, Shqipërisë i duhet që të bëjë reforma jetike dhe të përfundojë transformimet ekonomike dhe politike duke sjellë të gjithë aktorët nga të gjitha anët e spektrit politik dhe nga shoqëria civile.
“Anëtarësimi në BE është më shumë sesa një proces teknik, është një zgjedhje breznie mbështetur në vlerat dhe parimet themelore të Unionit, që duhet në fakt reflektuar në politikën e jashtme e të brendshme të Shqipërisë qysh prej asaj që mësojnë fëmijët në shkollë”
“Shqipëria është në një pozitë të favorshme. Duket yjet janë në vijën e duhur. Në Shqipëri shumica dërrmuese vazhdon të jetë mbështetëse e palëkundur e integrimit të vendit në BE. Dikush mund të thotë që mbështetja e Shqipërisë për BE-në këtu në vend është ndoshta më e lartë se edhe mes shteteve anëtare të BE-së. Kjo është e sigurt. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm dhe duhet të punojmë së bashku për ta ruajtur këtë nivel të lartë mbështetjeje vitet që vijnë”, shtoi më tej Gonzato
KE ka miratuar gjithashtu dhe Agjendën e Reformave për Planin e Rritjes së Shqipërisë.
“Ideja kryesore e këtij plani të rritjes është për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit të BE-së qysh tani tek popujt e Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin mundësitë për të integruar më mirë ekonomitë e tyre me BE-në, të kihet akses në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së dhe të ofrohen nivele të tjera të mbështetjes financiare me investime shtesë”, tha ai.
Më tej në fjalën e tij në nisjen e edicionit të nëntë të Shkollës së Integrimit Europian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Delegacionin e Bashkimit Europian dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”, Gonzato u shpreh se numri i aplikantëve ka tejkaluar vendet e vlefshme të shkollës duke treguar interesin e madh që ka për integrimin evropian në Shqipëri.
“Ju përfaqësoni sektorë të ndryshëm të shoqërisë nga shërbimi publik, qoftë në nivelin qendror dhe vendor dhe në fakt niveli vendor po bëhet gjithnjë e më thelbësor, ndërkohë që ecim përpara drejt anëtarësimit në BE, ku shumica e politikave, e rregulloreve nga “acqui”-të e BE-së u zbatua në nivelin lokal. Po kështu, ju përfaqësoni organizata jo fitimprurëse, sektorin privat, botën akademike dhe median. Por ajo që ju bën bashkë është që të gjithë keni një mundësi për të kontribuuar në mënyrë aktive nga pozicionet tuaja në integrimin e Shqipërisë në BE”, iu drejtua Gonzato pjesëmarrësve në Shkollën e Integrimit Evropian.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE në vitin 2030, është një plan ambicioz, por plotësisht i arritshëm nëse do të punohet fortë. Kryeparlamentarja tha se për shqiptarët Europa është e vetmja zgjedhje.
“Me shqiptarin e sotëm, atë të djeshmin dhe shqiptarin e nesërm, bëhesh hasëm nëse i flet kundër Europës. Sepse Europa për ne nuk është thjesht një zgjidhje. Europa për ne është e vetmja zgjedhje që duam dhe na duhet", tha ajo.
Foto: Jorida Tabaku
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Jorida Tabaku gjatë ceremoninë hapëse të edicionit të nëntë të Shkollës Europiane, tha se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm në raport me BE-në.
Tabaku falënderoi ambasodrin Gonzato për durimin në procesin e integrimit, si edhe për mbështetjen e dhënë ndaj kësaj shkolle.
“Kemi pasur shumë punë për të vendosur një axhendë të përshtatshme dhe me prioritet dhe ambasadori nuk hoqi dorë, për të zhvilluar edhe këtë vit me kapacitet të plotë shkollën. Këtë vit kemi një numër rekord pjesëmarrësish, 225 persona, të cilët kanë rezultuar në këtë klasë sot që shpresoj që të jetë më e mira nga të gjitha grupet që ne kemi nisur. Ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm, janë hapur negociatatat dhe ka një sfidë të jashtëzakonshme për administratën publike, bashkitë që do të zbatojnë 70% të legjislacionit europian, por edhe për biznese”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, grupet e negociatave duhet të zgjerohen dhe të përfshijnë të edhe të rinjtë.
“Ne jemi edhe në një ndryshim kulturor, element ky që Shqipëria duhet ta përçojë me një forcë pozitive të ndryshimit, në të gjithë sektorët, por sidomos edhe te biznesi. Jemi përpjekur që të kemi përfaqësues nga administrata qendrore, pushteti lokal, por edhe biznesi. Të rinj që sot janë në Dhoma Tregtie, pjesë e sindikatave dhe shpresoj të jenë pjesë e grupeve të negociatave”, tha Tabaku.
Më tej Tabaku nënvizoi se ndër vite ka dhënë një kontribut të madh që aktiviteti i kësaj shkolle të vazhdojë, por sot në ditën e ceremonisë së hapjes së edicionit të nëntë, faktori politik sipas saj, pati sërish një ndikim përçarës.
“Axhenda është goxha interaktive edhe me ndihmën e delegacionit të BE-së, por edhe me ndihmën e ambasadorit, që ju ndihmon që nga rregullat e ligjit deri te pikëpamja e elementëve që duhet të konsiderohen gjatë këtij procesi. Ndodhemi në një moment kur energjia e kujtdo duhet të kanalizohet te këto ndryshime, të nisim një diskutim për kriteret ekonomike, përtej atyre politike. Procesin e integrimit mos ta kemi në letër, por me ndryshime reale për qytetarët shqiptarë. Dua që të rinjtë të kontribuojnë dhe të jetojnë këtu, e të ndikojmë edhe te kthimi i të trurit nga jashtë. Të refuzojmë largimin dhe të kontribuojmë këtu”, u shpreh Tabaku.
Kryetarja e Kuvendit, deklaroi se procesi i negociatave dhe, më pas, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, do të mbështesë më tej demokratizimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Këtë e bëri me dije ditën e sotme teksa përshëndeti çeljen e edicionit të 9-të të Shkollës së Integrimit Europian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (OSFA) dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.
Kryeparlamentarja theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE në vitin 2030, është një plan ambicioz, por plotësisht i arritshëm.
“Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Ky plan synon të forcojë zhvillimin ekonomik, të ndërtojë infrastrukturën lidhësë kombëtare dhe rajonale, dhe të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e vetëm të BE”, theksoi Spiropali.
Kryeparlamentarja tha se pavarësisht fidave që shoqërojnë procesin e integrimit në BE, për shqiptarët Europa nuk ka qenë veç zgjidhje, por e vetmja zgjedhje.
“Me shqiptarin e sotëm, atë të djeshmin dhe shqiptarin e nesërm, bëhesh hasëm nëse i flet kundër Europës. Sepse Europa për ne nuk është thjesht një zgjidhje. Europa për ne është e vetmja zgjedhje që duam dhe na duhet. Dhe kjo zgjedhje e vetme bëhet edhe më urgjente për të dy palët në kushtet kur jo larg nga këtu tashmë prej vitesh janë në zhvillim e sipër dy konflikte të frikshme, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Këto janë arsyet se pse, pavarësisht ndryshimeve dhe armiqësive të pafundme që prodhon nervi i zbuluar i politikës së ditës në vend, integrimi evropian i Shqipërisë është objektivi ynë strategjik kombëtar më i rëndësishëm. Për individin dhe shoqërinë. Për secilin institucion legal dhe moral të këtij vendi. Ndaj nuk them asgjë të re nëse ripohoj se integrimi evropian është prioritet absolut edhe i Kuvendit të Shqipërisë”, tha Spiropali.
Duke inkurajuar pjesëmarrësit për të përfituar sa më shumë nga mundësia dhe dhënë kontributin e tyre në procesin e negociatave, Spiropali nënvizoi se Shkolla e Integrimit Europian është një mbështetje profesionale, institucionale, komplementare e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit.
Në përfundim Spiropali përgëzoi punën e Kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku dhe stafit të Sekretariatit teknik për organizimin e shkollës, si dhe falenderoi Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung” për mbështetjen e pakursyer për organizimin e edicionit të 9- të të kësaj shkolle.
35 vjet nuk janë zvarritje, hiç fare. Shpejtësia e dritës
Përgjigju