Skënder Minxhozi

Nuk ka më fitore me sondazhe e tallava

8 Shtator 2020, 17:12| Përditesimi: 8 Shtator 2020, 17:15

  • Share

Në gjashtë vitet e fundit, periudhë në të cilën mori shtat dhe u kthye në realitet projekti i reformës në drejtësi, Partia Socialiste dhe kryetari i saj ja dolën ta paraqesin atë jo vetëm si nismën e tyre ekskluzive (diçka e vërtetë kjo), por edhe si palën më të interesuar për efektet që reforma do të kishte mbi klasën politike dhe institucionet e shtetit. Sipas një iluzioni optik të çuditshëm, e majta që ishte në qeveri ja arriti ta kompleksojë opozitën në lidhje me reformën, megjithëse në parim pasojat e goditjes së reformës duhej të binin fillimisht mbi qeverisësit, e më pas mbi opozitarët.

Rama arriti ta shesë me sukses reformën si produktin kryesor dhe si lokomotivën e mandatit të parë, zgjdhjet e vitit 2017. Ja arriti të kompleksojë gjithë të tjerët në lidhje me drejtësinë, e kjo i dha fitoren politike më të madhe të karrierës së tij. Fitoi i vetëm kundër të gjithëve.
Sot, kur PS bëhet gati të përballet me bilancin e dytë qeverisës në tetë vjet, në prill 2021, rrethanat janë krejt të ndryshme. Qeverisja qëndrore është në duart e një partie, pushteti lokal gjithashtu dhe institucionet janë të boshatisura nga opozita. Sot s’mund të shitet më retorika e reformës, sot ka ardhur koha të shitet e të shihet vetë reforma. Sot s’ka më Ilir Metë dhe timon, as Çadër, as tepsi dhe as kazanë, sot duhet bilanc. Dhe alfa e bilancit është reforma në drejtësi e nisur gjashtë vjet më parë, me produktin e saj, i cili duhet të fillojë të preket, pasi kostot dhe pritja disavjeçare janë një faturë e kripur që duhet justifikuar.
Reforma në drejtësi nuk i mori gjashtë vjet, dhjetra milion dollarë dhe nuk i boshatisi më kot të gjitha institucionet më të larta të drejtësisë në Shqipëri, për të heshtur në fund. Apo për të belbëzuar, në rastin më të mirë. Ajo që u përgatit si një ngrehinë e lartë dhe sfiduese, nuk mund të jetë më një godinë pa leje dhe letra, që s’dihet kur i del pronari.

Tani që “tehu i shpatës” së reformës, SPAK dhe BKH janë plotësuar me personelin e duhur dhe po fillojnë të jenë operacionale me kohë të plotë, është momenti që të shohim çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Ka ardhur koha, pas gjashtë vjet përgatitjesh, debatesh politike, ndryshimesh kushtetuese e kapërcimi me pengesa të të gjitha yçklave e detajeve të pafundme të të gjitha natyrave – që më në fund të fillojmë të shquajmë produktin e reformës. Të shohim rrjetën e peshqve, ku nuk po duken ende as cironka.
Edhe nga interesi i ngushtë politik i palës që e propozoi reformën në drejtësi, shumicës së majtë, është e dukshme tashmë se nuk mund të luhet më me durimin e opinionit publik, pasi ke përdorur me vite përkrahjen popullore për nismën në fjalë. Vonesa në rezultatet konkrete të reformës po riskon çdo ditë dhe çdo orë që të krijojë një efekt të pakthyeshëm bumerang, që do të dëmtojë rëndë imazhin dhe reputacionin e reformës më të rëndësishme të dekadës së fundit në Shqipëri.

Retorika e peshqve të mëdhenj është bërë tashmë bajate dhe nuk ka më pikën e humorit për veshët që e dëgjojnë. Dhe është e qartë se maxhoranca ka përgjegjësinë kryesore, që ashtu siç arriti ta imponojë me dorë të hekurt vite të shkuara dhe të vjelë frytet e saj, tani të japë prova se e mbështet ajo më e para, verdiktin final të drejtësisë së re.

Rama dhe të tjerët përgjigjen rregullisht se nuk e pengojnë drejtësinë të kryejë detyrën e vet dhe se do të miratojnë çdo hetim a veprim tjetër të prokurorëve a gjykatësve për zyrtarët aktualë. Në një shtet kur ish-kryeministrat pengonin dikur edhe arrestimin e gardistëve të thjeshtë për vrasje, ky është një angazhim korrekt, por i pamjaftueshëm.

Sepse kjo qeveri s’mund të promovojë, ose së paku të mbajë në rradhët e saj zyrtarë si ata të përfshirë në aferën e pisët të 40 milion eurove në Astir, apo të përmendur në sa e sa rrethana të dyshimta në rang kombëtar apo lokal, ashtu siç nuk mund të konsiderojë si normale dhe “pa zarar” sa e sa akuza me emra konkretë. Në 40 milion eurot e fundit të rrugës Tiranë-Elbasan, shfaqet me cinizëm dhe në mënyrë të hapur natyra e squllët e kësaj qeverisjeje, e cila kujton se mund të shtyhet përjetësisht duke mos vepruar ndaj askujt: as ndaj të vetëve, as ndaj të tjerëve përballë. Më thuaj si të të shaj, thotë shprehja, si burrë të keq, apo si të pazotin?!

Është thënë e stërthënë këto tetë vjet se pasiviteti i qeverisjes së majtë ndaj Gërdecit, 21 janarit dhe dosjes 200 milionëshe të rrugës së kombit, përbën një njollë të errët për Ramën e të tjerët rreth tij, ashtu siç është një akt dobësie që nuk parathotë asgjë të mirë për imazhin  e qeverisjes së PS.

Këto zgjedhje nuk fitohen më me retorikë boshe dhe as me sondazhe autike, apo qoftë edhe me alibi tërmetesh e pandemish. Mandati i tretë kalon nëpër kalvarin e përballjes me të vertetën, jo të trafikimit të iluzionit të saj. Sidomos kur pretendon të marrësh votën për të qeverisur për herë të tretë. Ose do të tregohesh i ashpër duke fshikulluar edhe  vetveten, duke treguar kësisoj integritet dhe dinjitet politik e njerëzor, ose do të hapësh krahun për të ardhur në pushtet ata që ke anatemuar tetë vjet rresht si zullmuqarë. Pa i dënuar kurrë si të tillë…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?