Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk arriti në një vendim për kalimin në gjyq të dosjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe zëvendësit të tij Abedin Kërrnaja të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Gjyqtarja Irena Gjoka i la detyra prokurorit Elvin Gokaj që deri me datën 3 dhjetor të pyesë ekspertët që kanë hartuar aktin mbi vlerësimin e dëmit 2.7 milionë euro.
Sipas prokurorisë, rezulton se drejtuesi i Bashkisë gjatë procesit për hapjen e rrugëve me një gjatësi 3.2 kilometra, e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.
Pokuroria thotë se Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës, për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.
Rexh Byberi dhe Abedin Kërrnaja, të cilët janë të dy në arrest shtëpie, akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe prerja e paligjshme e pyjeve.
Komente
