Musa Ulqini

Nuk kandidoi për deputet në zgjedhje, reagon Musa Ulqini: I nderuar që përfaqësova Dumrenë! Largohem politikisht, por jo shpirtërisht

9 Mars 2021, 20:57| Përditesimi: 9 Mars 2021, 21:18

  • Share

Ndonëse nuk preferoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, deputeti i PS-së Musa Ulqini, ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij politik në këto dy mandate.

Me anë të një statusi në “Facebook” Ulqini thekson se ndihet i nderuar që ka përfaqësuar Dumrenë në parlament, ku thekson se fushatat elektorale të viteve 2013, 2015, 2017 dhe 2019, ishin modele të komunikimit qytetar, larg konfliktualitetit.

“Siç u bë e ditur mbrëmë, unë nuk do të jem më përfaqësuesi juaj në Kuvendin e Shqipërisë. Kam qenë i nderuar që kam përfaqësuar në dy mandate radhazi banorët e një zone të mrekullueshme si Dumreja.

Them e mrekullueshme, jo vetëm për bukuritë e pashoqe natyrore me 84 liqenet karakteristike, por në radhë të parë për qytetarinë e njerëzve të urtë e punëtorë të kësaj zone. Së bashku punuam fort për ta ndryshuar e kthyer Dumrenë siç është sot, një aset i mirëfilltë turistik, që është edhe një e mirë e madhe për banorët e saj. Përballuam së bashku pasojat e tërmetit të marsit 2014, të shtatorit e nëntorit 2019 si dhe u angazhuam fort në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid. Së bashku kemi zhvilluar fushatat elektorale të viteve 2013, 2015, 2017 dhe 2019, të cilat ishin modele të komunikimit qytetar, larg konfliktualitetit”, thotë ai.

Ulqini thekson se pavarësisht se po largohet politikisht nga Dumreja, shpirtërisht mbetet pranë kësaj zone.

“Sot është dita të falenderoj të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi politik në këto dy mandate. E kam të pamundur të përmend të gjithë emrat e bashkëpunëtorëve në këtë rrugëtim, sepse ata janë të shumtë, por dua të theksoj se pa kontributin qytetar dhe angazhimin e socialistëve të Dumresë, pa përkushtimin e ekipit të mrekullueshëm të bashkisë së re të Belshit e kryetarit të saj Arif Tafani, pa mbështetjen e përhershme të të gjithë institucioneve shtetërore të angazhuara në këto ndryshime të qeverisë Rama, ndryshimet e jetësuara në të gjitha fushat e jetës në Dumre, nuk do të ishin këto që janë sot. Unë tashmë largohem politikisht nga Dumreja, por jo shpirtërisht. Ju uroj të gjithëve shëndet e mbarësi në familjet tuaja dhe socialistëve të Belshit suksese në zgjedhjet e 25 Prillit”, vijon deputeti.

Largimi i emrit të tij pason pas largimit të Vasilika Hysit, Eglantina Gjermenit, Besnik Barajt, dhe Sadri Abazit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?