Çdo ditë është në krijimtari. Ngjarjet me të cilat ndeshet në përditshmëri janë për të, një indicie për të realizuar karikaturën e radhës. Endri Beqo është ndër të paktët të rinj që ka zgjedhur këtë zhaner. Arti që realizon shpërndahet në gazeta, revista, ekspozita, madje edhe në veshjet e tij.
Teksa bëhet gati për në punë, vëmendjen ta marrin bluzat me ilustrime që sjellin këndvështrimin e tij për problematikat me të cilat përballet njerëzimi.
“Janë stampuar nga idetë e mia. Ngjyrat i kam zgjedhur të ndryshme që të bjerë çik në sy figura dhe për të parë mesazhin që unë përcjell”, shprehet Endri për emisionin “Një nga ne”.
Të bën përshtypje mënyra sesi depërton në situata, sesi biseda në dukje të parëndësishme ai i ilustron me figurë duke ngacmuar inteligjencën njerëzore. Të flasësh me figurë nuk e bën kushdo, por për Endri Beqon, kjo është kthyer në stil jetese. Deri më tani ka realizuar mbi 800 karikatura.
“Karikatura është ajo që më mbush ditën, ka qenë një ushqim që unë kam vazhduar në ecuri. Këtë zhaner e zgjodha sepse gradualisht më tërhiqnin shumë librat me ilustrime, animacionet”, thotë ndër të tjera.
Ka bërë 9 libra, ka realizuar ekspozita personale, nuk kanë munguar as çmimet dhe vlerësimet. Një mbështetje e madhe për të ka qenë dhe karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu si dhe pedagogët e Universitetit të Arteve. Si e shikon rrugëtimin e tij drejt artit, a vlerësohen mjaftueshëm artistët sot? Është hera e parë që shkruan një skenar të cilin do e pasqyrojë me animacione. Po çfarë e frymëzon në krijimtarinë e tij dhe detaje nga projekti i tij më i ri. Të gjitha këto mund t’i ndiqni në emisionin e plotë: Bota sipas Endrit, artisti që flet me lapsin.