Deputeti Dashnor Sula ka zyrtarizuar largimin nga Partia Demokratike, duke u rreshtuar në krah të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, që drejtohet nga Adriatik Lapaj. Sula ka bërë reagimin e parë publik mëngjesin e sotëm duke thënë se do të përfaqësojë Elbasanin nën siglën e ‘Shqipëria Bëhet’
“Nuk ishte zgjedhja ime të largohem nga Partia Demokratike. I kam dhënë 20 vite kësaj partie, pa kërkuar asnjë përfitim. Por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm pse mbështes reformën në drejtësi”, u shpreh Sula në reagimin e tij.
Ai falënderoi Adriatik Lapajn, Endri Shabanin dhe Pano Sokon për ftesën që i është bërë, duke theksuar se “Shqipëria bëhet vetëm me njerëz të rinj dhe të papërfolur”.
Sula u shpreh se mbështetja e tij për institucionet e drejtësisë do të vijojë edhe në Parlamentin e ardhshëm, duke u vetëquajtur sërish si “SPAK-ist”, një etiketë që sipas tij i është dhënë për qëndrimet e tij.
Largimi i Dashnor Sulës vjen në një moment kritik për Partinë Demokratike, teksa pak muaj para zgjedhjeve, rreshtimi i tij në një forcë të re politike shihet si një goditje për kampin opozitar.
Komente
