Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka deklaruar se forca politike që ai drejton, do të mbështesë kandidatët e PD, pasi vetë Nisma Thurje nuk do të kandidojë me kanidatët e tyre.
Në një intervistë në Report Tv, për emisionin ‘Frontline’ të moderuar nga Marsela Karapanço, Shabani tha se ai nuk mbështet kastën e vjetër të politikës, ku përmendi emrat e Sali Berishës dhe Flamur Nokës, të cilët sipas tij, u larguan me votë në vitin 2013.
“Ne kemi vendosur që të garojmë për ato gara që kemi mundësi që të fitojmë. Në 2023 nuk garuam për zgjedhjet për kryetarë, por për këshillat Bashkiakë. Edhe këtë herë nuk do te futemi në garën për kryebashkiak, pasi nga maji deri më sot, ne nuk kemi shkuar në 50% të votave. Për të mos djegur votat kemi mbështetur një kandidat opozitar. Por unë nuk mbështes dot as Flamur Nokën dhe as Sali Berishën, as ata që në 2013 u larguan me votë. Nuk kam problem me të rinjtë e PD-së, por problemin e kam me klasën e vjetër të PD-së që përfaqësohet me Berishën”, u shpreh Shabani.
I pyetur nëse në Partinë Demokratike, a është e mirëpritur kandidatura e Binajt, Shabani tha se në PD mendojnë se po iu imponohet emri i aktorit si kandidat për Tiranën. Ndërsa më tej theksoi se Florjan Binaj nuk është kandidati i preferuar në Partinë Demokratike.
“Për të kuptuar nëse Florjan Binaj është kandidat i PD-së, shko të flasësh me ata të PD-së, dhe shihi sa të kënaqur. Ata janë të fundit që janë të kënaqur që po iu imponohet një kandidat nga jashtë. Unë mendoj që ata do ta suportojnë, por të jeni të sigurt që nuk është kandidati i preferuar i tyre. Ata preferojnë ta mbajnë partinë e mbyllur dhe të kandidojnë vetë”, tha Shabani.
Edhe pse Shabani tha se është kundër kastës së vjetër politike të drejtuar nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, ai deklaroi se do të mbështesë kandidatin e tyre Florjan Binajn për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Komente
