Rrëfimi i 17 vjeçarit shqiptar në Greqi, autorit të plagosjes me thikë të 18 vjeçarit grek të hënën, ka shkaktuar tronditje në opinionin e gjerë publik. Adoleshenti ka treguar se kur kishte tentuar t’i merrte çantën 18 vjeçarit grek, ai e kishte shtyrë dhe për këtë kishte reaguar duke e goditur me thikë.
“I kapa çantën, por ai më shtyu dhe më pas e godita dy herë me thikë, një herë në bark dhe një herë në qafë nëse më kujtohet mirë”, tha 17-vjeçari.
Gjatë arrestimit të tij, shqiptari është kapur në tentativë për të fshehur gjurmët e tij duke futur në lavatriçe rrobat me njollat e gjakut të të riut grek.
Më tej ai rrëfen sesi së bashku me bashkëpunëtorin e tij kanë vendosur të grabisin njerëzit që shihnin në rrugët e qytetit të Athinës pranë Akropolit.
“Ne pamë disa njerëz dhe vendosëm t'u merrnim celularët. Me pretekstin se doja një cigare, iu afrova dhe i kërkova një. Kur u afruam, mora njërën dhe nxora një thikë që kisha në xhepin e majtë të pantallonave, ia vura në bark dhe i thashë të më jepte celularin. I kapa çantën por ai më shtyu dhe më pas e godita dy herë me thikë, një herë në bark dhe një herë në qafë nëse më kujtohet mirë”, shtoi ai në dëshminë e tij.
Nga ana tjetër, i plagosuri grek, tashmë është në gjendje më të stabilizuar pas goditjeve me thikë të pësuara. Pas arrestimit të 17 vjeçarit shqiptar, ka qenë nëna e tij ajo që ka dorëzuar në polici rrobat e përgjakura që ky i fundit kishte tentuar t’i fuste në lavatriçe për t’i larë në momentin që është arrestuar nga policia.