Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla

Nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, rrëzohen sërish në Kuvend kandidatët nga radhët e pedagogëve për KLP e KLGJ

17 Shkurt 2022, 16:47| Përditesimi: 17 Shkurt 2022, 17:39

  • Share

Kuvendi ka rrëzuar sërish sot katër kandidatët e përzgjedhur nga trupat e pedagogëve. Emrat e përzgjedhur për të plotësuar 4 vakancat në këto dy institucione nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, duke e rikthyer procedurat e përzgjedhjes së tyre në nënkomisionin e posaçëm të ligjeve.

Kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Oriona Muçollari dhe Ilir Rusi, kanë marrë 80 vota pro, zero kundër, 2 abstenim, e ndërsa kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani dhe Yllka Rupa morën 75 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenim. Pas këtij votimi kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re sipas procedurës së parashikuar në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

“Vendim për listën e dytë në bllok të kandidatëve të zgjedhur të KLGJ nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës, sipas ligjin numër 115/ 2016, për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Oriona Muçollari dhe Ilir Rusi, pro 80 vota, kundër zero, abstenim 2, shumica nuk është arritur dhe çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re.

Për kandidatët për KLP, Mirela Bogdani Yllka Rupa, pro 75, kundër 1, abstenim 5 shumica nuk është arritur dhe çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarëve, 5 anëtarë jo-gjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe 6 anëtarë gjyqtarë të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Kuvendi zgjedh 2 anëtarë nga Avokatia, 2 nga institucionet e arsimit të lartë dhe 1 nga shoqëria civile. E njëjta gjë është edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili ka 5 anëtarë jo prokurorë dhe 6 anëtarë prokurorë.

Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.


Lajmi kryesor:

Inceneratorët përplasin PD-PS! Basha: Rama s’i lan dot duart! Spiropali: Do përgjigjesh para drejtësisë! Berisha: Kjo aferë zgjidhet me protesta! Miratohen anëtarët e rinj të AMA-s


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?