Një sulm ajror izraelit goditi spitalin Nasser të Gazës në qytetin jugor të Khan Younis të dielën, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë sipas mjekëve.
Sulmi në zonën përreth spitalit Nasser kishte në shënjestër një militant kyç të Hamasit, tha ushtria izraelite, pa e identifikuar militantin, ndërsa agjencia e lajmeve Shehab e lidhur me Hamasin tha se sulmi vrau një anëtar të byrosë politike të Hamasit, Ismail Barhoum.
Ndërkohë në një tjetër sulm, izraeli goditi një kamp ku palestinezët e zhvendosur po qëndronin në qytetin e Gazës, ndërsa më parë, një sulm ajror izraelit në Gazën jugore vrau një udhëheqës politik të Hamasit, Salah al-Bardaëeel, tha grupi militant.
Të dielën teksa bilanci I viktimave kaloi shifrën 50 mijë, qindra izraelitë protestuan përpara rezidencës së kryeministrit izraelit në Jerusalem pasi kabineti i Benjamin Netanyahut miratoi një mocion mosbesimi ndaj prokurorit të përgjithshëm, masa e fundit kundër zyrtarëve që konsiderohen armiqësorë ndaj qeverisë. Përleshjet e vogla shpërthyen në fillim, por qetësia u kthye menjëherë pasi policia largoi njerëzit.
Dhjetëra mijëra izraelitë u janë bashkuar demonstratave në Jerusalem dhe Tel Aviv gjatë javës së kaluar, pasi frika për pengjet izraelitë pas rifillimit të fushatës së bombardimeve në Gaza dhe zemërimi ndaj lëvizjeve për shkarkimin e kreut të agjencisë vendase të inteligjencës kanë bashkuar grupe të ndryshme protestuese.
Vota kundër prokurorit të përgjithshëm, i cili është përplasur shpesh me qeverinë për ligjshmërinë e disa prej politikave të saj, erdhi disa ditë pasi kabineti ndezi protesta masive duke miratuar shkarkimin e shefit të agjencisë së inteligjencës Shin Bet, Ronen Bar, pasi Netanyahu humbi besimin tek ai.
Lëvizjet kundër dy zyrtarëve kanë tërhequr akuza nga protestuesit dhe opozita se qeveria e djathtë e Netanyahut po minon institucionet kryesore shtetërore.
Komente
