Flukset e ndërtimit do të rriten edhe më tej, sidomos në kryeqytet nisur nga lejet e ndërtimit të lëshuara në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas të dhënave të sotme në INSTAT sipërfaqja e lejeve të reja të ndërtimit në të gjithë vendin ishte 1,2 milionë metër katror me rritje vjetore 12%. Rritjen më të madhe sipas sipërfaqes e kishte Tirana, me 36%.
Në 6-mujorin e parë 2024, lejet e reja të ndërtimit në Tiranë sipas sipërfaqes arritën në 898,640 metër katror, nga 660,452 metër katror në 6-mujorin e parë 2023.
Të dhëna më të detajuara nga INSTAT tregojnë se lejet në Tiranë shënuan rritje të fortë në tremujorin e dytë të vitit 2022, ku sipërfaqja e re nëpërmjet lejeve u trefishua në krahasim me tremujorin e parë duke arritur në 666,672 metër nga 231 mijë në të parin.
Të dhënat tregojnë se 55% e sipërfaqes së re të dhënë për ndërtim në të gjithë vendin në 6-mujorin e parë u takojnë lejeve të dhëna në kryeqytet.
Rritja e sipërfaqes se re për ndërtim u nxit nga dhënia e lejeve për kullat shumëkatëshe në Tiranë.
Së fundmi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar dhënien e lejeve për disa projekte shumëkatëshe, ndërsa një formë e re partneriteti mes qeverisë dhe privatit pritet t’i japë mundësinë këtij të fundit të ndërtojë projekte të mëdha në pronat publike.
Janë të paktën 8 projekte zhvillimore, që parashikojnë ngritjen e kullave që do të kenë deri në 65 kate dhe një tjetër projekt 100 kate, i prezantuar së fundmi, por që nuk e ka marrë akoma lejen e zhvillimit.
Nga lejet e KKT-së, më kryesorja është ajo në Bulevardin e Ri që lë pas projektin “Mount Tirana” që është deri më tani projekti me lartësinë më të madhe, me 58 kate.
Konkretisht, KKK ka dhënë Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë Banimi, Shërbimi dhe Hotelerie 4, 5, 23, 24, 57, 58 dhe 65 mbi tokë me 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bulevardin e Ri, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k. Për momentin kjo është kulla më e lartë që ka marrë leje zhvillimi.
Në listën e KKT janë edhe disa projekte në rrugën “Dritan Hoxha” me 35 kate, apo në rrugën “Teodor Keko”, me lartësi 50 kate mbi tokë. Tashmë duket se kullat po kalojnë zonën brenda Unazës, duke u shtirë edhe në pjesën më periferike të kryeqytetit.
Një projekt tjetër parashikon një kompleks shumëfunksional rezidencial, me 27 kate në zonën e Kasharrit.
Është dhënë leje ndërtimi dhe për objektin: “Top Seven Tower”, zhvillim kompleks për ndërtimin e ambienteve të reja me funksion rezidencial dhe shërbime prej 33 dhe 35 katesh mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, me vendndodhje në Rrugën “Dritan Hoxha”, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Top Seven Construction” sh.p.k.
Një tjetër projekt përfshin objektin: “Kompleks banimi, hotelerie me shërbime 1, 25, 39, 50 kate mbi tokë dhe 3 kate parkim nëntokë, në rrugën “Teodor Keko”, Bashkia e Tiranës”, me subjekt zhvillues shoqëritë “Xh & M” sh.p.k, “Alfazed” sh.p.k dhe “Smart Construction invest” sh.p.k
Leja tjetër për projekte shumëkatëshe lidhet me objektin: “Kompleks shumëfunksional, rezidencial dhe shërbime 2, 3, 4, 8, 10 dhe 27 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Kashar, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Tirana Ëest Center” sh.p.k.
Së fundmi është miratuar pas një konkursi një projekt nga arkitekti Alejandro Aravanea dhe studioja e tij Elemental Studio, me një lartësi prej 300 metrash ose 100 kate dhe nëse ndërtohet, do të bëhet më e larta në Tiranë.
Kulla do të jetë në qendër në krah të “Malit të Tiranës”, që ka filluar tashmë të ndërtohet. Pas miratimit të projektit pritet që kjo kullë të marrë lejen e zhvillimit.
Krahas projekteve që po ngrihen mbi truall privat, edhe vetë qeveria planifikon të japë për zhvillim disa hapësira që i ka në pronësi.
Në qershor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit hapi tenderin me objekt “Energjizimi i qyteteve: Zhvillimi inovativ i Pronës Publike”.
Kjo procedurë kërkon të afrojnë pranë vetes projekt-ide që synojnë të zhvillojnë pronën publike në bashkëpunim me sektorin privat, ku në fund përfitimi që do të marrin institucionet janë zyra.
Projektet e reja do të zhvillohen mbi truallin e disa ndërtesave shtetërore. Në to do të përfshihet ngritja e kullave nga 35 deri në 41 kate që do të shërbejnë për akomodimin e 22 institucioneve shtetërore dhe krijimin e zonave bankare, hapësirave tregtare, hapësirave për zyra me qira.
Po ashtu, projekte të reja zhvillimore pritet të nisin në Tiranë përkatësisht në zonën e Komunës së Parisit, pranë Bulevardit “Zhan D’Ark”, pranë shkollës “Harry Fultz” dhe te Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës.
Sakaq bashkitë kanë rritur varësinë nga të ardhurat prej leve të ndërtimit. Në pesëmujorin e këtij viti të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë zunë 40 për qind të ardhurave bashkiake./ Monitor
Burimi INSTAT
Dhe kush drejton KKT, qe shperndaka leje ndertimi si indulgjencat dikur Vatikani?!
Përgjigju