Banka e Shqipërisë e la të pandryshuar normën bazë të interesit në 3%, pasi sipas guvernatorit Gent Sejko i përgjigjet zhvillimeve aktuale të ekonomisë dhe normës së inflacionit që është në trend rënës.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve korrik-gusht, duke qëndruar pranë një niveli mesatar prej 2%. Rënia e inflacionit gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është diktuar – në masën më të madhe – nga kontributi në rënie i inflacionit të artikujve ushqimorë dhe, së fundmi, i çmimeve të produkteve energjetike. Nga ana tjetër, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqet më i qëndrueshëm. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke qëndruar në kahun e sipërm të pritjeve tona”, tha Sejko në konferencë për mediat.
Guvernatori Sejko tha se gjatë tremujorit të dytë të vitit është vënë re rritje e pagave dhe e punësimit, por mungesat për staf janë ende shumë prezente.
“Analizat tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme të punësimit e të pagave në ekonominë shqiptare. Ndonëse informacioni statistikor për punësimin në tremujorin e dytë nuk është ende i disponueshëm, të dhënat administrative sugjerojnë se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1.9% në tremujorin e dytë, duke qëndruar në nivele të ngjashme me ritmet e shënuara në tremujorin e parë. Paralelisht me të, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 6.9% në tremujorin e dytë, duke vijuar të ushtrojë presion për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve finale të konsumit”, tha Guvernatori.
Guvernatori theksoi se me qëllim mbrojtjen e qytetarëve këshilli Mbikqyrës ka miratuar edhe rregulloren e hartuar për institucionet jo banka, e cila kufizon numrin e kredive konsumatorë që mund të marrë një klient në të njëjtën kohë.
“Kufizojmë moshën e kredimarrëve, elementë sa i takon numrin e kredive, nuk mund të merren 2 kredi konsumatorë njëherësh, do bëhet analizë financiare e kredimarrësve. Në funksion nga ruajtja e kredi marrësve nga ngarkesave me borxh. Por mbrojmë edhe vetë institucionet ndaj kredive me probleme. Këto institucione nëse do të përballeshin me një kredi marrës problematik, do të kishin normë të lartë kredie me probleme dhe do të përballeshin me humbje”, tha Sejko.
Rregullorja e re parashikon që institucionet financiare jo-banka të bëjnë analiza të detajuara të gjendjes financiare të qytetarit që aplikon për kredi, nuk mund të japin më shumë se 2 kredi konsumatore në të njëjtin institucion jo-bankë në të njëjtën kohë. Në rregulloren thuhet se nuk do të jepen kredi nën moshën 18 vjeç, dhe s’do aprovohet asnjë hua nga ora 22.00 deri në 7 të mëngjesit.
Po ashtu institucionet jo banka nuk do të lidhin kontrata kredie me persona me aftësi të kufizuara, ose me individë që marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër. Si dhe do të ketë një regjistër me ata që do mund të marrin kredi.
Po në këtë draft thuhet se këto institucione përpara se të miratojnë dhënien e kredisë konsumatore, duhet të bëjnë një analizë të detajuar të gjendjes financiare të personit, duhet të mbledhin informacione që mund të ndikojnë aftësinë paguese të kredimarrësit, si të ardhurat, historiku i pagesave, apo të gjitha detyrimet e tjera financiare. Të gjitha këto ndryshime po ndërmerren pas skandalit me mikrokreditë ku qindra qytetar u mashtruan, ju rritën detyrimet në shkelje nga MCA e Final dhe humbën pronat e tyre.