Vrasësi, Klodian Çalamani

Nuk paraqitej në seancat gjyqësore/ Autori i vrasjes dhe përdhunimit së 8 -vjeçarit në Fier do të shoqërohet me detyrim nga Gjykata 

7 Nëntor 2022, 14:37| Përditesimi: 7 Nëntor 2022, 19:41

  • Share

FIER- Është shtyrë për disa herë me radhë në gjykatën e Fierit gjykim i çështjes penale në ngarkim të personit nën hetim Klodian Çalamani i akuzuar për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” viktimë e të cilës mbeti 8-vjecari Mateo Vasiu në Grecalli të Fierit.

Kjo seancë e sotme u shty pasi i pandehuri paraqiti një deklaratë përmes të cilës deklaronte se nuk paraqitej dot për arsye shëndetësore.

Gjykata urdhëroi shoqërimin e detyruar të të pandehurit për seancën e ardhshme e cila u caktua të zhvillohet në dt.21.11.2022 ora 12:00.

Edhe në seancën e 22 korrikut 2022 në gjykatën e Fierit, i pandehuri dhe familjarët nuk kanë qenë prezentë. Seanca u zhvillua me përfaqësinë e avokatëve Denid Hajdëraj i të pandehurit dhe të Rozeta Plakut, avokatja e familjarëve. Në 15 qershor Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim të Klodian Çalamanin të akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga nenet 100/2 dhe 79 gërma “a” të K.Penal. Nga hetimet paraprake rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i Mateo Vasiut, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.

Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç'ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat.

Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.

Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009

Lidhja që kishte fëmija me autorin
Përveç se fqinj me njëri-tjetrin, Report Tv mëson se viktima ishte nipi i shokut të autorit, Florian Vasiu, me të cilin së bashku rrëmbyen vajzën në 2006 dhe e kërcënonin se do e gjymtonin. Kjo shpjegon afrimitetin që kishin viktima dhe autori, në komunikimin e tyre të fundit që u kapën nga kamerat e sigurisë.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?