'Nuk premtoj mrekulli', Artan Mërgjyshi: Vora konkurron denjësisht në Kategorinë e Parë! Titulli? Partizani më i avantazhuar

8 Maj 2023, 12:59| Përditesimi: 8 Maj 2023, 13:04

  • Share

Klubi i Vorës në futboll sezonin e ri do luajë në Kategorinë e Parë, si fitues në grupin B të së Dytës. Trajneri i vorakëve, Artan Mërgjyshi foli në Report Tv për emisionin "Sot Live në Shqipëri" me gazetarët Andi Kapxhiu dhe Nertil Agalliu. Tekniku u ndal te eksperiencë dhe të rinjtë e talentuar në ekip, duke thënë se do jenë një ekip konkurrues në të Parën, por pa premtuar mrekulli. Sa i takon titullit në Superligë dhe ndeshjes derbi mes Tiranës dhe Partizanit, trajneri sheh më të avantazhuar "Demat" e Colellës.

"Që në fillim u binda nga projekti dhe serioziteti i drejtuesve. Veç kësaj edhe emra si Hidi apo Rraboshta në organikë dhe një qarkullim brezash në ekip, ky gërshetim i tillë më tërhoqi. Kategoria e Dytë është e vështirë, terrenet, gjykimi, mentaliteti dhe këto bënë mos e nisnim mirë sezonin, duke pasur luhatje. I kaluam ngërçet dhe me cilësitë e ekipit dominuam kampionatin. Gjithçka funksioni mirë, u poqëm si ekip dhe fituam. Një fakt plus janë edhe tifozët. Janë të lidhur dhe e përjetojnë shumë futbollin. Nuk na kanë kthyer shpinën as në kohën e vështirë. Çdo trofe ka vlerën e vet. Kjo është një kënaqësi edhe për tifozët", tha fillimisht trajneri.

Më pas Mërgjyshi foli edhe për objektivat e sezonit të ri.

"Për të qenë realist, duhet të jemi me këmbë në tokë. E dimë forcën tonë. Me këtë ekip që kam, di që jam konkurrues me të gjitha ekipet. Kemi luajtur edhe miqësore me ekip nga e Para dhe nuk kemi qenë inferiorë. Kemi luajtur si të barabartë. Kategoria e Parë është e vështirë, edhe nga reduktimi i skuadrave që shkon në 12. Rivaliteti është gjëja që na mban në garë. Nuk premtoj mrekulli, por që do jemi konkurues", tha Mërgjyshi.

Trajneri i njohur foli edhe për derbin Tirana - Partizani dhe titullin e Superligës, që me gjasë do ndahet mes këtyre dy skuadrave.

"Është ndeshja më speciale e kampionatit tonë. Partizanit i duhet patjetër fitorja, Tirana ka dy rezultate në lojë. Tirana vjen edhe me probleme dëmtimesh, si edhe humbja me Teutën bën të vetën moralisht. Partizanin e shoh më të avantazhuar. Unë kam qejf të fitojë Tirana, por Partizani ka një plus 5-10 përqind për të dalë kampion", tha Mërgjyshi.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?