TIRANË- Në Parkun Olimpik të Tiranës po numërohet vota e ardhur nga Greqia, pas vendimit të KQZ që zhbllokoi procesin e mbetur peng pas kontestimeve të PD. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, foli për herë të parë pas nisjes së numërimit të votave të ardhura nga shteti helen, ndërsa pyetjes së gazetarëve për pretendimet e PD, ai iu përgjigj duke më thënë se deri tani në KQZ nuk është depozituar asnjë provë.
“Procesi s’ka përfunduar, nëse dikush ka pretendime të tjera shtesë do shqyrtohen dhe vlerësohen. KQZ nuk i është paraqitur asnjë provë në lidhje dhe me pretendimet e bëra publike. Prova në KQZ nuk janë paraqitur, por koha për t‘i paraqitur nuk ka përfunduar. Subjekti zgjedhor që ka kontestuar për rezultatin, të paraqesë pretendimet për shkelje e ligjit dhe provat dhe më andej do të vlerësohet nga instancat që ekzistojnë apo jo pretendime dhe se sa këto shkelje të ligjit kanë ndikuar në rezultat", theksoi Celibashi.
Pavarësisht vendimit të KQZ, që PD e ka animuar në KAS, numëruesit e PD po i numërojnë votat por thonë se do të kontestojnë çdo votë të ardhur nga Greqia dhe do të kërkojnë që të mos përfshihen në rezultatin e zgjedhjeve. PD pretendon se zarfet nuk janë dorëzuar personalisht te votuesi dhe nuk janë kthyer personalisht nga ai. Për këto pretendime të PD, Celibashi njoftoi se DHL i është përgjigjur edhe kërkesës së tij për shpjegime dhe se brenda 22 majit kjo kompani postare do t’i vë në dispozion dokumentin e firmave për dorëzimin e zarfeve.
“Kemi kërkuar të dorëzojë në KQZ çdo dokumentacion që ka të bëjë me këtë proces. Kanë sjell një përgjigje që këtë dokumentacion e keni brenda datës 22 maj. Pjesë e kërkesës sonë ka qenë edhe që duam shpjegime se si ka qenë protokolli i shpërndarjes së zarfeve dhe dokumentacionin mbështetës të gjithë këtij protokolli. Në momentin që do ta kemi do të vlerësojë secili prej nesh, e justifikon apo jo pretendimet e gjithkujt”, tha Celibashi.
Ai thotë se numërimi i votave të diasporës të ardhura nga Greqia do të mbyllet ditën e sotme dhe do të vijohet me votat preferenciale për kandidatët. Brenda vendit janë 55 519 vota të pavlefshme, ndërsa në diasporë janë 1666 vota të pavlefshme. Numërimi në rang vendi edhe për partitë dhe kandidatët pritet të përfundojë ditën e nesërme në mbrëmje.
"Procedurat janë ato që kanë sjellur edhe një kohëzgjatje të këtij procesi. Duket që procesi është i ngarkuar me procedura. Shpresoj që deri nesër në darkë ta përfundojmë këtë proces. Edhe rezultatin për kandidatët e listës së hapur ta kemi deri nesër në darkë”, tha Celiabshi.
Kryekomisioneri deklaroi gjithashtu se nga numërimi i votave në rang vendi, kanë rezultat 109 fletë votimi më shumë se numri i qytetarëve që kanë votuar. Ai sqaroi se KQZ ka nisur verifikimet për rastin nëse ka pasur një gabim të tyre që kanë mbyllur procesverbalin nga qendrat e votimit apo kur numëruesit kanë hedhur të dhënat.
Celibashi deklaroi gjithashtu se 9 kuti janë kontestuar si të parregullta, 7 të tilla janë shpallur në momentin e dorëzimit ndërsa dy të tjera janë kontestuar si të tilla nga KZAZ pas marrjes së kutive në dorëzim.
"Nga 1 462 352 fletë votimit të gjendura në kuti, 1 460 833 janë vota vë vlefshme dhe 55 519 janë të pavlefshme. Janë vetëm 9 kuti të parregullta që ka rezultuar nga procesi i vlerësimit, 7 të tilla janë shpallur që në momentin e dorëzimit, ndërsa 2 janë kontestuar të tilla, na KZAZ pasi marrjes së kutive në dorëzim", tha Celibashi.
Ndërkohë, sa i takon diasporës, Celibashi tha se “një pjesë e votuesve nga jashtë nuk e kanë dërguar zarfin B, por kanë sjellë direkt zarfin A. Janë 2696 raste të administruara në kutinë e parregullt, ku 99.9% e këtyre rasteve lidhen me mungesën e zarfit B. E kemi hedhur manualisht si të dhënë, nuk është gjeneruar në mënyrë automatike se sistem.”
Komente
