Politikë

Celibashi: Erdhën 201 mijë fletë votimi nga diaspora, 1971 vota dolën të pavlefshme! Akuzat e PD për manipulim? Asgjë s'e ka cenuar integritetin zgjedhor

19 Maj, 13:17| Përditesimi: 19 Maj, 15:27

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregoi sot shifrën e saktë të fletëve të votimit që janë gjetur brenda zarfeve të dërguara nga diaspora. Sipas Ilirjan Celibashit, ishin 201 795 vota të ardhura nga jashtë vendit. 

Ai tha se janë vlerësuar 201 795 fletë votimi, nga të cilat 199 824 kanë rezultuar të vlefshme ndërsa 1971 të pavlefshme.  353 zarfe, tha Celibashi, janë të DHL, por kanë ardhur përmes shërvimeve të tjera postare. 6 zgjedhës e kanë dorëzuar zarfin personalisht, ndërsa 347 kanë ardhur me postë tjetër. 

“201 795 numri i fletëve të votimit të vlerësuara, prej të cilave 199 824 janë fletë votimi të vlefshme. 1971 janë të pavlefshme. Për ta kuptuar më qartë janë 201 795 votues nga jashtë. Pra po të vëreni dhe ta konstatoni pasi të mbarojmë bashkëbisedim nga numri total i zarfeve postarë të mbërritur në KQZ, të themi se janë 100, janë shqyrtuar 95 apo 98, ka kuptim logjik. Nga kjo e tërë e shqyrtuar kanë rezultuar numër pak më i vogël fletësh votimi që iu janë nënshtruar procesit të vlerësimit, dhe më pas të shpërndarjes sipas subjekteve. Tani po vazhdon vlerësimi i fletëve të votimit për kandidatët. Këto fletë votimi janë duke u rivlerësuar vetëm për kandidatët. Janë përjashtuar fletët e votimit që ka vota vetëm për partitë politike, dhe po vlerësohen vetëm ata që kanë pasur votë për kandidatët.”, u shpreh Celibashi.  

I pyetur për kërkesën që kanë paraqitur disa kandidatë, të cilët pretendojnë vjedhje votash, për të parë pamjet filmike gjatë numërimit, ai tha: 

“Nëse një parti politike apo koalicion nuk ua vë në dispozicion, iu kemi thënë partive politike që gjithsecili prej këtyre subjekteve mund të tërheqë në KQZ pamjet filmike. Nëse një kandidat nuk i siguron dot për arsye të ndryshme nëpërmjet partisë këto pamje, KQZ  ua vë në dispozicion çdo kandidati. Unë e di se çfarë duhet të ndodhë por nuk dua të ndërhyjë në kompetencën e njërit apo tjetrit. Rinumërimi nuk ka të bëjë me komisionerin shtetëror. Nuk dua të jap një përgjigje për këtë gjë. Është njësoj si te jem gjyqtari i shkallës së parë dhe të them se çfarë do të bëjë Apeli”, u shpreh Celibashi. 

I pyetur nëse ka bazë ligjore që votimi nga jashtë të shpallet i pavlefshëm, kryesisht ato të Greqisë pas akuzave të PD për manipulim, Celibashi deklaroi se nëse verifikohen shkeljet e ligjit dhe ka ndikim në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Megjithatë, ai garantoi se sa i përket administrimit në kompetencë të KQZ, procesi është kryer si duhet dhe nuk ka parregullsi.

“Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Me siguri të plotë them se çfarë ka administruar KQZ me këtë proces, ka prodhuar integritet të plotë, të paktën për atë segment dhe kompetencë të KQZ. Ngelet diskutimi se si votuesit nga jashtë kanë votuar, por në momentin që gjithsecili prej tyre ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës, dhe ky zarf ka mbërritur në KQZ, asnjë gjë s’e ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor. Më shumë akoma në ambientin ku zhvillohet procesi i numërimit të votave. Nga ana tjetër, ka të drejtën e vet për të kërkuar dhe sqaruar çdokush që ka pretendimet për këtë proces. Kemi përgjigje për çdo pyetje të mundshme. “, shtoi Celibashi.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni nga qeveria Rama 4 pas zgjedhjeve të 11 majit?