Kampioni shqiptar i peshave të rënda, Nelson Hysa, po ecën me ritme të frikshme në renditjen botërore të federatave më të rëndësishme të boksit në botë. Shkodrani falë fitores së fundit, të arritur më 12 prill kundër kolumbianit Edwin Castillo, që ishte suksesi i 22 në po kaq ndeshje në boksin profesionist, ka arritur numra të pazakontë në WBO dhe WBA.
Në renditjen e përditësuar, në të dy federatat e rëndësishme të boksit, Nelson Hysa renditet i 11 në botë.
Rezultat në rritje do t'i mundësojnë 40-vjeçarit një tjetër ndeshje për titull që pritet të mbahet në muajin qershor në Harrow të Londrës. Aktualisht Nelson Hysa është kampion Evropë në titullin WBO. Një arritje që erdhi më 9 mars pas një lufte ndaj Molinas në Gjermani. Megjithatë Hysa nuk është i kënaqur me kaq.
Që prej 12 prillit boksieri po stërvitet çdo ditë, me qëllimin që në qershor të jetë gati për një gjerdan të artë. Këto arritje marrin më shumë kuptim për vetë faktin se Nelson Hysa po punon kundër kohës, pasi nuk ka dhe shumë vite karrierë. Gjithsesi ai ka premtuar se nga dorazat e tij do të vijnë edhe shumë gëzime.
Komente
