Sektori bankar bëri pothuajse 106 mijë disbursime të kredive në gjysmën e parë të këtij viti. Mbështetur në statistikat e pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë 2025 bankat kryen në sistem gjithsej 105 819 disbursime të kredive për individët dhe bizneset. Numri i kredive të disbursuara është rritur me 52% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Kjo shifër përfaqëson në mënyrë të përafërt numrin e kredive të reja të dhëna nga sektori bankar këtë vit, megjithëse në disa raste mund të bëhet fjalë edhe për disbursimin me transhe të një kredie të vetme të miratuar.
Numri i kredive të reja u dominua nga individët, me 53 818 mijë disbursime ose 51% e totalit të kredive të dhëna për gjysmën e parë të vitit. Numri i kredive në segmentin e individëve u rrit me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një tendencë rritjeje edhe më e shpejtë po regjistrohet në kreditë e dhëna për bizneset.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti u disbursuan 52 001 kredi në llogaritë e bizneseve. Numri i kredive për bizneset u rrit me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditë e dhëna për biznesin përbënin pothuajse 49% të numrit të kredive të disbursuara, nga 47% përbënin në gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Rritja e numrit të kredive konfirmon ecurinë pozitive të huadhënies edhe të shprehur në vlerë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 7-mujorin 2025, janë dhënë gjithsej 231.9 miliardë lekë kredi e re, me një rritje prej 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia e re për individët arriti vlerën e 77 miliardë lekëve, në rritje me 26% krahasuar me një vit më parë. Kreditimi i individëve është mbështetur te një rritje shumë e shpejtë në dy segmentet kryesore, të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe financimit të konsumit.
Ndërsa kredia e re për bizneset arriti në 151.3 miliardë lekë, me një rritje prej 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në fund të muajit korrik, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë, shprehur si tepricë, qëndroi në vlera të përafërta me qershorin. Ai kishte vlerën e 893.1 miliardë lekëve. Megjithatë, me bazë vjetore, kredia vazhdon të jetë në rritje, me 11.9%.
Rritja është më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 360.5 miliardë lekëve, në rritje me 9.6% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në segmentin e biznesit vlera e portofolit të kredisë arriti në 490.4 miliardë lekë, në rritje me 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor
Komente
