Përmes shortit elektronik KLGJ ka zgjedhur emrin zëvendësues të gjyqtares Nure Dreni në çështjen e Saimir Tahirit duke emëruar gjyqtarin Dhimiter Lara. Ai do t’i bashkohet gjyqtareve Albana Broksi dhe Nertina Kosova për të dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm.
Zëvendësimi u bë për shkak të shkarkimit nga vettingu i gjyqtares së Apelit, Nure Dreni më 17 qershor. Ajo ishte pjesë e gjykimit të çështjes së Tahirit në Apel, por pasuria 'dogji' gjyqtaren duke u shkarkuar nga KPK.
Seanca e radhës ndaj Saimir Tahirit pritet të mbahet më 24 qershor në orën 09:30. Në seancën e fundit, atë të 11 qershorit që zgjati 6 orë, Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kishin përgatitur një mbrojtje prej 131 faqesh, ku shpalosën argumentet e tyre pse ish ministri i Brendshëm duhet të marrë pafajësinë.
Pavarësisht kësaj prokuroria e përfaqësuar nga Vladimir Mara dhe Dritan Prenci nuk u tërhoqën nga akuzat dhe dënimi 12 vite burg që kërkuan në Shkallën e Parë për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Tahiri një vit më parë është dënuar 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre, por ai vendosi ta apelonte këtë masë duke kërkuar pafajësinë.