Duhet të ishte dita më e lumtur e jetës së saj, por shpërthimi katastrofik i Portit të Bejrutit vitin e kaluar, ndryshoi totalisht dasmën e Israa Al-Seblani, e cila u bë e njohur si nusja e Bejrutit.
Më 4 gusht të vitit 2020, Al-Seblani, një mjeke në profesion kishte ceremoninë martesore me të fejuarin e saj biznesmenin Ahmed Sobeih.
E veshur me fustanin e saj të bardhë dhe duke pozuar fotografi në një nga sheshet më të bukur të Bejrutit, momentet e gëzueshme të saj papritur u prishën nga shpërthimi i Portit të Bejrutit që shkaktoi tronditje përtej qytetit.
Sa hap e mbyll sytë, ngjarja e gëzueshme e regjistruar nga kameramani i saj, Mahmoud Al-Naqeeb, u shpërnda duke u shndërruar në një moment paniku dhe terrori.
Për shumë njerëz, videoja përmblodhi ndikimin e tmerrshëm të shpërthimit që la të paktën 200 persona të vdekur, mijëra të plagosur dhe dëme masive materiale.
Një vit më vonë, çifti rrëfen se ende nuk kanë harruar kujtimet e asaj dite.
“Dita gjithmonë më shoqëron. Është një kujtesë kolektive që do të mbetet e mbërthyer në mendjet e të gjithë qytetarëve”, tha Al-Seblani për AA.
Edhe pse Nusja e Bejrutit, ngjan një emër tejet i veçantë ajo shprehet se nuk i pëlqen sepse i kujton “ditën e errët” që rrafshoi Bejrutin dhe që anuloi dasmën e saj.
Ndërsa bashkëshorti shprehet se për askënd në Bejrut jeta nuk mund të jetë më njësoj.
“I gjithë populli libanez nuk do ta harrojë atë ditë. Dasma jonë duhej të ishte një nga ditët më të lumtura në jetën tonë, por u shndërrua në një shenjë tragjike trishtimi për ne dhe për të gjithë Libanin”, tha Sobeih.
Sipas tij, jeta në Liban është përkeqësuar pas shpërthimit, por shprehu besimin e tij në aftësinë e vendit për rimëkëmbje dhe që njerëzit të qëndrojnë të palëkundur për një të nesërme më të mirë.
Për mediat turke çifti zbuloi planet e tyre për t’u zhvendosur në SHBA ose Kanada pasi të përgatiten dokumentet e tyre me shpresën për një të ardhme më të mirë.
Ata thanë se dëshirojnë që Bejruti të ngrihet përsëri nga rrënojat dhe të rimarrë përcaktimin e tij si nusja e botës arabe.
Deri më sot, jeta në Bejrut nuk është kthyer në normalitet. Shpërthimi i madh la qindra ndërtesa banimi, ndërtesa tregtare, ndërtesa të trashëgimisë dhe një zinxhir të infrastrukturës së shkatërruar, duke i kushtuar vendit miliarda dollarë humbje financiare.