Bota

Në Gaza thuajse 60 mijë të vrarë, Netanyahu ka gati plan aneksimi nëse Hamas nuk pranon armëpushimin!

29 Korrik, 09:49| Përditesimi: 29 Korrik, 16:41

  • Share

Nëse Hamasi nuk pranon një armëpushim, Izraeli do të fillojë aneksimin e pjesëve të Gazës, sipas disa mediave izraelite. Sipas gazetës së përditshme Maariv, qeveria e Netanyahut synon t'i japë Hamasit një shans të fundit për të arritur një armëpushim.

Megjithatë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, plani që kryeministri izraelit thuhet se e paraqiti gjatë një takimi me një grup të zgjedhur ministrash është tashmë gati: është vendosur të krijohet një entitet i veçantë për të administruar zonat e aneksuara.

Sipas Haaretz, plani synon t'i pëlqejë Ministrit të Financave Bezalel Smotrich dhe ta bindë atë të mos e tërheqë partinë e tij fetare të ekstremit të djathtë nga qeveria.

Ndërkohë, Hamasi shpërndau disa shifra në kanalin e tij në Telegram. Janë thuajse 60 mijë viktima palestineze në rrip që prej nisjes së konfliktit me Izraelin në rripin e Gazës. Edhe këtë të martë, sulmet nuk janë ndalur. Të paktën 34 palestinezë janë vrarë që nga agimi në operacionet izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve në spitalet në enklavën palestineze, të cituara nga televizioni satelitor al-Jazeera. Transmetuesi, bazuar në informacione nga burime mjekësore në Spitalin Al-Aëda, kishte raportuar më parë të paktën 30 palestinezë të vrarë në bastisjet izraelite në veri të Nuseirat, në Gazën qendrore.

Ora 13:06
Gaza/ Përkeqësohet bilanci i sulmeve të mëngjesit, 62 të vdekur

Ka shkuar në 62 numri total i të vdekurve si pasojë e sulmeve izraelite ne Gaza mëngjesin e kësaj të marte. Sipas burimeve, të paktën 19 persona u goditën dhe u vranë nga zjarri i IDF-së ndërsa prisnin shpërndarjen e ndihmës, 13 prej tyre pranë korridorit Netzarim të kontrolluar nga Izraeli. Nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur raportet në këtë kohë, pasi gazetarët ndërkombëtarë nuk lejohen të hyjnë në Rrip.

Mbrojtja Civile e Gazës tha më parë se sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 30 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, në lagjen qendrore të Nuseirat.

//Ansa

Ora 11:53
Starmer gati të shpallë njohjen e Palestinës këtë javë

Nën presionin e Partisë së tij Laburiste, Kryeministri Britanik Keir Starmer po përgatitet të shpallë planin e tij për njohjen e Shtetit të Palestinës këtë javë, sipas Daily Telegraph. Sipas gazetës, njohja do të kushtëzohet nga një armëpushim dhe potencialisht nga kthimi i pengjeve që mbahen ende nga grupi palestinez. Ende nuk është e qartë nëse njoftimi do të bëhet në një fjalim apo në një konferencë për shtyp. Britania thuhet se po shqyrton njohjen e shtetit palestinez "më aktivisht", edhe sipas dy burimeve qeveritare të New York Times, pikërisht kur kabineti - i thirrur nga pushimet nga Kryeministri Keir Starmer - do takohet sot për të diskutuar situatën në Gaza. Ditët e fundit, pas njoftimit të Presidentit Francez Emmanuel Macron, kryeministri kishte minimizuar mundësinë e ndjekjes së Parisit, duke deklaruar se njohja duhet të jetë pjesë e "një plani më të gjerë që çon në një zgjidhje me dy shtete dhe siguri të qëndrueshme për palestinezët dhe izraelitët".

Ora 11:43
Nëse Hamasi nuk pranon armëpushimin, Izraeli do të aneksojë Gazën

Në rastin që Hamasi nuk do të pranojë një armëpushim, Izraeli do të fillojë aneksimin e pjesëve të Gazës, sipas shtypit izraelit. Sipas ‘Maariv’, qeveria synon t'i japë Hamasit një shans të fundit për të arritur një armëpushim. Por nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, kryeministri Benjamin Netanyahu paraqiti një plan gjatë një takimi me një grup të zgjedhur ministrash. U vendos të krijohet një entitet i posaçëm për të administruar zonat e aneksuara. Sipas Haaretz, plani i Netanyahut synon të kënaqë Ministrin e Financave Bezalel Smotrich dhe ta bindë atë të mos e tërheqë partinë e tij fetare të ekstremit të djathtë nga qeveria.

Ora 11:34
34 të vdekur në Gaza në sulmet izraelite që nga agimi

Të paktën 34 palestinezë janë vrarë që nga agimi në operacionet izraelite në Rripin e Gazës, sipas burimeve në spitalet në enklavën palestineze, të cituara nga televizioni satelitor al-Jazeera. Transmetuesi, bazuar në informacione nga burime mjekësore në Spitalin Al-Awda, kishte raportuar më parë të paktën 30 palestinezë të vrarë në bastisjet izraelite në veri të Nuseirat, në Gazën qendrore.

Ora 11:26
Holanda u ndalon hyrjen dy ministrave izraelitë Smotrich dhe Ben-Gvir

Holanda ka vendosur të ndalojë hyrjen në vend të Ministrit izraelit të Financave Bezalel Smotrich dhe Ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, në shenjë proteste kundër qëndrimit të tyre të ashpër ndaj ndihmës për Gazën dhe nxitjes së tyre për dhunë nga kolonët. Raporton gazeta lokale Algemeen Dagblad. 

Ben Gvir dhe Smotrich udhëheqin të dy parti politike të ekstremit të djathtë që ndihmojnë në mbajtjen në këmbë të koalicionit të brishtë qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ndaj tyre, në muajin Qershor, të njëjtin vendim si Holanda, morën edhe Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe 3 shtete të tjera. 

A.I/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • tani: 29/07/2025 10:07

    Nazistat kan qene njerez te dashur ne krahasim me keto kriminela

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?