Në kohë distancimi social është arti që na bashkon! Artistët: Edhe pak ka mbetur! Shmangni lëvizjet e panevojshme

13 Prill 2020, 09:59| Përditesimi: 13 Prill 2020, 13:20

  • Share

Në kohën e distancimit social ka qenë arti dhe artistët ata që na kanë bashkuar. Me koncertet e tyre virtuale, shfaqjet, performancat, muzikën, ata kanë bashkuar njerëzit anëekënd botës, në qëllimin e vetëm: Për të mbrojtur veten dhe të tjerët nga koronavirus, dhe duke u argëtuar.

Fëmijët kanë qenë po ashtu aktivë dhe shumë prej tyre na kanë mësuar nëpërmjet rrjeteve sociale se jeta është e shenjtë, e duhet ta mbrojmë me çdo kusht, e në mos për veten duhet ta bëjmë për ta.

Ora 13:52
Violinisti Elvin Hoxha, "Paganini shqiptar" koncert për Europën në karantinë (VIDEO)

Elvin Hoxha, violinisti shqiptar që ka pushtuar skenat më prestigjioze të artit botëror realizon në karantinë performancën online me dedikim “Kontribut për Coronavirusin”.

I cilësuar si “Paganini shqiptar”, Elvin Hoxha, djali muzikantit të shquar nga Shkodra, hajredin Hoxha, që është larguar nga Shqipëria në vitet ‘90 dhe i një artisteje të njohur nga Ajzerbaxhani, Nermin Ganijev “Kontribut për koronavirusin:  Elvin Hoxha, koncert online për të gjithë Europën”, shkruan artisti në facebook e tij,  Hoxha i cili edhe pse është vetëm 24 vjeç me perfomancat e tij ka tronditur skenat botërore.

 

Ora 13:32
“Itali, ti amo !-Itali të dua!”, artistët e peizazhit, ekspozitë online (VIDEO)

10 artistë të njohur të peizazhit  anëtarë të shoqatës "PLEIN AIR ALBANIA”, kanë organizuar një ekspozitë virtuale Kushtuar Italisë në shenjë solidariteti pas goditjes nga pandemia Covid -19. Ekspozita e titulluar “Itali të dua do të sjellë online disa nga veprat e piktorëve të realizuara gjatë vizitave të  të  artistëve shqiptarë në Itali. “Kushtuar Italisë sonë të dashur që sot është në situate kaq të vështirë … ‘Në këtë kohë pandemie të COVID-19 që ka pushtuar planetin, solidariteti, kultura, kujdesi janë armët më të mira për t’u përballuar.’ shprehen artistët

Ekspozita "Plein air 2020 Italia , tiamo !-Itali të dua! Organizohet me pjesëmarrjen e Agim Kadillarit, Agron Polovinës, Arsen Kurtit, Buron Kacelit, Nikolin Ivanajt, Pashk Pervathit, Sadik Kasës, Sefedin Stafës, Spiro Panaritit, Vangjo Vasilit dhe Xheneta Kadillari

 

 

Ora 13:12
Giovanni Belluscio, albanologu i shquar arbëresh ka ndërruar jetë në Cosenza në moshën 58-vjeçare

Giovanni Mario Giacomo Belluscio, mjeshtri i fonetikës eksperimentale që ka realizuar një sërë punimesh me vlerë për fonetikën e shqipes, ka ndërruar jetë, njofton  njofton studiuesi Rahman Paçarizi, i cili e përcjell hidhërimin për largimin nga jeta të albanolgut të shqura me këto fjalë:

“Dje paska nderru jete nje arberesh i madh. Pa i bere 59 vjet qenka nda nga kjo bote dhe nga ne, Gianni Belluscio, një ndër studiuesit më të mirë të fonetikës, fonologjisë e dialektologjisë shqiptare. Gianni Belluscio ka qene pjesemarres i hershem dhe i rregullt i Seminarit te Albanologjise. E kisha mik te shtrenjte e bashkepunetor. E donim dhe na donte. E quanim edhe Skenderbe. Kjo eshte nje humbje e madhe per albanologjine dhe per arbereshet e arberishten. U takofshim ne jeten e pertejme Xhani i dashur”,

Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqëndruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të aplikuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, sociolinguistikë si edhe analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe. Ka shkruar mes tjerash për realizimet fonetike të spikerëve në radiot e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në kuadër studimeve të tij në terren ka zhvilluar ekspedita gjuhësore në pjesën veriore të Shqipërisë: Theth, Vermosh, Bogë (2007), Bajram Curri, Dragobi, Cernica, Shoshan, Raja, Viçidol (2012).

Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore dhe ka dhjetëra punime shkencore. Ka kontribuuar në disa projektei: IRRSAE Puglia (1992), Progetto EMOL, Fryske Akademy-Olanda (1995), EUROMOSAIC (1993-94). Ka botuar dy libra: Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë, shqip-italisht-frëngjisht-anglisht (2011, bashkautor), The Albanian Language in Education in Italy (2010). Ka qenë anëtar i bordit të INA-s (International Netëork of Albanology). Ka qenë pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (herën e parë më 2003). Ka qenë, po ashtu, pjesë e një projekti të përbashkët me Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës për hulumtimin e të folmeve arbëreshe. Kumtesa e tij e fundit për albanologjinë është mbajtur dhjetorin e shkuar në Universitetin e Berlinit (Humboldt Universitat).

Ka qenë profesor në Universitetin e Kalabrisë. Ky universitet nën udhëheqjen e John Trumperit ka një ndër laboratorët më të njohur për studime të fonetikës. Belluscio ka bashkëpunuar ngushtë me Trumperin, nga i cili ka nxënë mjeshtërinë e kërkimeve dhe te matjeve eksperimentale në fonetikë. Universiteti i Kalabrisë (Unical) ka departament të Gjuhës shqipe që drejtohet nga Francesco Altimari.

Giovanni Bellusco ka lindur në fshatin arbëresh Shën Vasil (Kalabri) më 25 gusht 1961. Ka mbaruar shkollimin fillor në fshat, ndërsa liceun në Castrovillari. Është diplomuar në Universitetin e Calabrisë, ku edhe është doktoruar më 1993. Në komunitetin albanistik njihej me pergëdheli me emrin Gianni.

Albanologjia nuk ka një tjetër studiues të kalibrit të tij që do ta zëvendësojë në fushën e fonetikës dhe të studimeve në terren.

Ora 12:38
'Me tren për Prizëren', Sara Baraktaraj: Qëndroni në shtëpi! (VIDEO)

Edhe këngëtarja e re Sara Baraktaraj përmes këngës me "Tren për Prizëren", u bën apel njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi, derisa kjo situatë të mbarojë. Artistja rrëfen edhe ditët e saj të vetizolimit këtë periudhë të vështirë. 

Ora 12:36
Ulpjana Aliaj këndon 'Mall' të Ismail Kadaresë (VIDEO)

Sopranoja Ulpjana Aliaj këndon në këto dite vargjet e poezisë së njohur të Ismail Kadaresë, "Mall". Artistja uron që mos të ndiejmë më mall për të afërmit për shkak të rrethanave të tilla ku gjendet këto ditë mbarë bota. 
 

Ora 12:32
Tre artistë vlonjatë sjellin 'Moj e bukura Arbëri' (VIDEO)

Tre artistë të njohur vlonjatë bashkojnë muzikën me fjalën në këngën "Moj e bukura Arbëri". Tenori Klodian Kaçani, aktori Bujar Asqeriu dhe pianistja Ardita Bufaj në një interpretim brilant nga shtëpitë e tyre në këto ditë të vështira përcjellin më shumë shpresë dhe optimizëm tek të gjithë shqiptarët.

Ora 10:44
Markel Capo mesazh mes pikturash: Evitoni daljet e panevojshme (VIDEO)

Piktori Markel Capo po i kalon ditët e karantinimit mes pikturash. Piktori ka pëcjellë për shikuesit e “Rreze Dielli” një mesazh nga shtepia ku uron që tëgjithë të jenë mirë.

Ai thotë se daljet e tij për kafe janë në ballkonin e shtëpisë, ndërkohë që bën thirrje që të evitoni daljet e panevojshme.

Ora 10:24
Shpresojmë që edhe ne të rilindim! Këngëtarja shqiptare dhe muzikanti italian interpretim live nga shtëpia, sot 'koncert' edhe për fqinjët (VIDEO)

Këngëtarja Hersi Matmuja dhe bashkëshorti i saj italian Jacopo Conoci na kanë dhuruar momente emocionuese nga shtëpia e tyre.

Në një kohë kur është hera e parë që ata po festojnë Pashkët në shtëpi, larg njerëzve të dashur, këngëtarja shqiptare në një lidhje skype për emisionin "Rreze Dielli" ka treguar se këto Pashkë kanë qenë shumë ndryshe nga herët e tjera. 

“Po presim të kemi një rilindje edhe ne. Edhe meshën e Papës e kemi parë nga Tv Shumë mesha janë parë në transmetim live. Ndoshta e kemi ndjerë pak më shumë këtë vit nga ana fetare përshkak se nuk ka patur gjërat komerciale që njeriu ia vesh çdo feste” shprehet këngëtarja.

Ajo së bashku me bashkëshortin e saj kanë sjellë një këngë shqiptare, ndërkohë që kanë thënë se sot do të kenë një ‘koncert’ mes fqinjëve në Itali, ku ajo dhe Conoci do të interpretojnë disa këngë, kurse fqinja e tyre poete do të interpretojë një poezi. 

Ora 10:05
Art në karantinë, Riana Hida ‘transformon’ murin e shtëpisë (VIDEO)

Inxhinierja tekstile Riana Hida ka vendosur që gjatë ditëve të karantinimit të jetë më kreative.  Ajo ka ‘transformuar’ murin e shtëpisë së saj, duke i dhënë më shumë ngjyra me anë të një pikture murale.

Mbase ideja e inxhinieres mund t’ju shërbejë dhe ju.

 

Ora 10:04
Kamela Islamaj këndon ‘Just the two of us’, shoqërohet nga i fejuari i saj (VIDEO)

Me siguri që zëri i këngëtares Kamela Islamaj i mungon shumë të apasionuarve pas netëve të muzikës live në kryeqytet. Megjithatë këngëtarja ka dhuruar herë pas here gjatë ditëve të karantinës këngë, si për t’ju hequr sadopak ‘mallin’ e kohës kur Tirana kishte një jetë aktive, me bare të mbushura me muzikë të mirë.

Këngëtarja, e shoqëruar nga i fejuari i saj ka  sjellë për publikun virtual ‘Just the two of us’.

“Ju kërkojmë ndjesë për pianon e çakorduar dhe për mungesën e profesionalizmit”. shkruan këngëtarja në rrjetet sociale.

 

Ora 10:02
Arti që na bashkon! Fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës kërcejnë nga shtëpia valle të Shqipërisë së Mesme (VIDEO)

Në ditët e distancimit social, ka qenë arti ai që i ka bashkuar njerëzit.

Këngët, valet, piktura, recitimi, kanë mbajtur të bashkuar të gjithë shqiptarët me njëri tjetrin, por edhe të gjithë kombet.

Edhe fëmijët e Qendrës Kombëtare të Kulturës kanë zgjedhur të vijnë vazhdimisht me video në rrjetet sociale duke kënduar e kërcyer, si një mënyrë për të mbajtur shpresat gjallë, se ditë më të mira do të vijnë për të gjithë.

Këtë herë, do të jetë një valle e Shqipërisë së Mesme që ata do të performojnë nga shtëpitë e tyre.

D.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gege Kosova: 14/04/2020 12:19

    Ngushellime familjrave dhe komunitetit shkencor,sidomos gjuhetareve shqiptare per humbjen e shkenctarit te rralle te gjuhesise shqiptare, fonetikes dhe fonologjise se gjuhes shqipe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?