Bota

Në kontrast me pjesën më të madhe të botës, ekonomia e Kinës rritet 18.3%

16 Prill 2021, 13:51| Përditesimi: 16 Prill 2021, 13:53

  • Share

Në një kohë që ekonomitë më të mëdha të globit janë përballur me rënie të theksuar ekonomike, ekonomia kineze u rrit për një shifër rekord prej 18.3 për qind në çerekun e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndonëse shifra e rritjes ekonomike ishte pak më e ulët se parashikimi prej mbi 20 për qind, ajo përsëri është rritja më e madhe e GDP-së që nga koha kur Pekini filloi të grumbullonte të dhëna për këtë aspekt në vitin 1992.

Të dhënat tregojnë se ekonomia kineze po rimëkëmbet nga efekti i pandemisë pasi vitin e kaluar ishte ekonomia e vetme që shënoi rritje, përderisa fuqitë tjera botërore u goditën rëndë nga efektet e izolimit të vazhdueshëm.

Sidoqoftë, analistët thonë se shifra e raportuar nuk është aq mbresëlënëse sa duket, sepse krahasohet me një periudhë kur Kina vetë ka qenë në izolim.

Shifra e rritjes ekonomike është ndihmuar edhe nga shpenzimet e mëdha të qeverisë, por prapë mbetet shembull për t’u lakmuar nga vendet tjera.

Ekonomistët në Gjermani thanë se ekonomia e fuqisë kryesore evropiane është tkurrur për 1.8 për qind në çerekun e parë të vitit si pasojë e izolimit të pjesshëm.

Ekonomia e Britanisë së Madhe gjithashtu pritet të tkurret për rreth 2 për qind, ndërsa Japonia dhe India nuk pritet të shënojnë rritje ekonomike deri në një periudhë më të mëvonshme gjatë këtij viti.

Krahasimi i rritjes për tremujorin e parë të 2021 me tremujorin e fundit të vitit 2020, ekonomia kineze u rrit me 0.6%.

E ndihmuar nga masat e rrepta kufizuese dhe lehtësimeve për bizneset, ekonomia është rikuperuar vazhdimisht. Pavarësisht nga një fillim katastrofik i vitit, Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që regjistroi rritje në vitin 2020, me 2.3%  megjithëse më e dobëta e saj në dekada.

Komento

Komente

  • Albi: 16/04/2021 20:20

    Komunizmi po lulzone, kurse prenimi po shkon drejte falimentimit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?