ANJEZA MURATI, AUTORE
DRAMA “KËPUCËT PREJ RËRE”, PËR HERË TË PARË NË SHQIP
Titulli: Këpucët prej rëre
Autori: Suzanne Lebeau
Gjinia: Dramë
Shtëpia botuese: Dita Books
Çmimi: 500 lekë
“Këpucët e rërës”, drama e autores nga Kuebeku, Suzanne Lebeau, e sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe nga Anjeza Murati është libri i ri që vjen i botuar nga “Dita Books”. “Këpucët e rërës” është një pjesë teatrale për fëmijë, që tregon historinë e Elizës dhe Leos, motër e vëlla, të cilët janë të trembur nga bota e jashtme dhe gjejnë siguri në strehën e tyre.
Gjithçka ndryshon kur një palë këpucë të mërzitura vendosin të arratisen nga kafazi i shtëpisë. Ato nisin një udhëtim jo vetëm fizik, por edhe magjik drejt rritjes dhe zbulimit se bota, edhe pse e frikshme ndonjëherë, fsheh thesare të bukura për ata që guxojnë të dalin jashtë.
Anjeza Murati është aktore dhe regjisore e formuar në Cours Florent në Paris, me një eksperiencë të pasur në teatër dhe kinematografi, të cilën e ka ndërthurur me punën në fushën e pedagogjisë dhe edukimit të fëmijëve. Prej disa vitesh është përkushtuar ndaj letërsisë dhe përkthimeve për fëmijë. Krahas dramës për fëmijë "Këpucët e rërês" (Les Chaussons de sable) ajo është edhe autore e përrallës “La Dragonnette”, e cila pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Ajo ka kontribuar gjithashtu në dokumentarë për televizionin ARTE dhe në lexime teatrale të zhvilluara në institucione kulturore prestigjioze si Centre Pompidou dhe Inalco në Paris. Me formim në shkenca humane dhe pedagogji, Murati ka punuar për vite me fëmijë dhe të rinj nëpër shkolla e qendra kulturore, duke ndërthurur artin me edukimin. Sot ajo jeton dhe krijon në Francë.
Autorja Suzanne Lebeau ka lindur në Quebec. Pas studimeve në letërsi dhe pedagogji, ajo ndoqi një shkollë formimi për komediane në Montreal, Paris dhe Poloni. Në vitin 1975, së bashku me regjisorin Hervé Godin, ajo krijoi kompaninë e teatrit për të rinj “Le Carrousel”. Ajo mori pjesë në spektaklet e njohura të kompanisë si autore dhe aktore, dhe më pas, gradualisht, u largua nga aktrimi për t’u përqendruar ekskluzivisht në shkrim.
Sot, Suzanne Lebeau ka shkruar mbi njëzet vepra teatrore origjinale dhe disa përshtatje. E angazhuar prej mbi tridhjetë vjetësh në shkrim dhe animacion, ajo vazhdon të bëjë kërkime të thella mbi universin e fëmijëve dhe përpiqet të sfidojë pafundësinë e mundësive dhe kufijve të imagjinatës. Shumë prej veprave të saj janë publikuar dhe përkthyer në shumë gjuhë, dhe janë vënë në skenë në të gjithë botën.
Ajo është njohur si një nga shkrimtaret kryesore të dramaturgjisë për publikun e të rinjve dhe është një nga autorët më të luajtur në Quebec. Autorja ka dhënë mësim për shkrimin dramatik në Shkollën Kombëtare të Teatrit të Kanadasë nga viti 1990 deri në vitin 2001 dhe është e ftuar rregullisht në Francë, Spanjë, Meksikë dhe në Amerikën Latine për të udhëhequr atelie teatri, konferenca ose për të mbajtur trajnime shkrimi. Nga nëntori 1993 deri në shkurt 1994, ajo mori pjesë në rezidencën e parë të shkrimit për publikun e të rinjve, të organizuar nga Chartreuse, Qendra Kombëtare për Shkrimet e Shfaqjeve në 55 Villeneuve-lès-Avignon. Në vitin 2002, Chartreuse e paraqiti dhe e njohu si Ndjekëse Letrare (Suivante Littéraire). Shumë prej veprave të saj janë të botuara, dhe në vitin 1998, Asambleja Ndërkombëtare e Parlamentarëve të Gjuhës Frënge e ka nderuar me gradën e Kavalierit të Urdhrit të Plejadës për gjithë veprën e saj.
BEHAR GJOKA, AUTOR
“PETRO MARKO, SHKRIMTARI I LIRISË”, BOTOHET MONOGRAFIA
Titulli: Petro Marko, shkrimtari i lirisë
Autori: Behar Gjoka
Gjinia: Monografi
Shtëpia botuese: Toena
Çmimi: 1500 lekë
Përqasja e romaneve të Petro Markos me disa nga tekstet e shkrimtarëve të huaj për ta vendosur prozën romanore në një kontekst më përtej letrave shqipe, pra, në kontekstin e letërsisë europiane dhe botërore, është pjesë e hulumtimit të thelluar të prozës së autorit Behar Gjoka. Nga krahasimi i realizuar midis romanit “Hasta la vista” dhe romaneve “Lamtumirë armë” dhe “Për kë bie kambana” të Ernest Heminguejt, me romanin “Shpresa” të Andre Marlout, me romanin “Portat e diellit” të Simonë Teri si dhe me librin “Homazh Katalonjës” të Xhorxh Oruellit, u krijua një përshtypje më e plotë për epopenë e Luftës së Spanjës. Po ashtu, pista krahasimore, për romanin “Qyteti i fundit” të Petro Markos, me romanin “Për kë bie kambana” të Heminguejt, si dhe me romanin “Harku i Triumfit” të Erik Remarkut, në disa pikëpërkime rastësore, përveçse përforcon tiparet moderne të tekstit “Qyteti i fundit”, njëherit e vendos romanin në kontekstin e letërsisë bashkëkohore botërore. Gjithashtu, jo pa interes, është përqasja shkurtimore e pjesës së parë të romanit “Ara në mal”, të Petro Markos me tekstin e romanit “Njerëz të pamvarur” të shkrimtarit islandez Halldor Llaksnes. Pjesë e vështrimit krahasimtar me tekste të autorëve të huaj është edhe romani “Shpella e piratëve”, një tekst i letërsisë për fëmijë, sidomos për episodin e betejës me peshkaqenin, që vetvetiu të ndërmend situatën e prozës “Plaku dhe deti” të Ernest Heminguejt.
“Jam dëshpëruar pa masë që në arkivë kam hetuar dhe kam gjetur një moment kur gjithë komiteti qendror me Ramiz Alinë dhe dëshpërimisht edhe Mehmeti i kundërvihet në ’73-in për një roman. Ndërkohë që Mehmet Shehu ishte ai që i kishte dalë për Zot kur botoi ‘Qytetin e fundit’, i vetmi roman i pacensuruar, dhe në atë letër në njëfarë mënyre i dhanë duart Petro Markos. Për çfarë? Sikur ishte dekadent. Nuk e futën dot te konservatorizmi, por gjetën një mënyrë dhe biles ka qenë një dënim, do të thosha i dhimbshëm, fakti që iu hoq e drejta e botimit. Çarë mund t'i bësh një shkrimtari më shumë se kaq?”, shprehet autori.
Gjoka vëren se ky botim sjell edhe disa shqyrtime të reja sa i përket veprës së tij, siç është rasti i zbërthimit të poezive të vëllimit të tij me poezi, “Leania”, një ringjallje e vargjeve të kohës së dëshmorit Ramiz Varvarica në luftën e Spanjës, sipas tij një poemë a baladë, që të sjell ndërmend De Radën. Ndërsa një tjetër gjë që del në pah është edhe dramaturgjinë e Markos.
“Ka tre drama të cilat janë botuar mrekullisht rastësisht dhe ka disa tekste të cilat janë ripunuar. Domethënë në qoftë se botimi i parë i Hasta la Vistës është bërë në ‘57-ën te tek revista ‘Nëntori’, botimi i dytë është bërë me 300 e ca faqe, 380 e ca faqe", vijon ai.
Ai vëren edhe se sipas tij, Marko është themelues i i prozës moderne shqipe me romanin “Qyteti i fundit”, e njëkohësisht dhe filluesi i poezisë me varg të lirë në 1934 me poezinë “Vdekja që lind të tjerë”.
MARK RICA, AUTOR
LIDHJET MES SHQIPËRISË DHE ITALISË, NJË LIBËR NGA MARK RICA
Titulli: Udha e mendimit Shqipëri-Itali
Autori: Mark Rica
Gjinia: Publicistikë, Histori
Botues: Gent Graphic
Çmimi: 1500 lekë
I vendosur mes Italisë dhe Shqipërisë, tashmë në pension, për Mark Ricën, qytetet italiane, prej të cilëve ka vizituar të paktën 20 të tillë, janë bërë një joshje për të shkruar mbi lidhjet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë.
Së fundmi ai ka sjellë për lexuesit librin “Udha e mendimit Shqipëri-Itali”, një përmbledhje me publicistikë, histori, refleksione dhe personazhe.
“Kam parë pothuajse gjithë muzetë e Italisë së Veriut. Edhe ato gjëra që kam pare, më kanë bërë jashtëzakonisht përshtypje, sepse një pjesë e madhe lidhet dhe me Shqipërinë. Dua të them vetëm një gjë: 20 regjione që ka Italia dhe 1801 komuna, nuk kam gjetur një komunë që nuk ka shqiptarë. Këta janë të hershëm, arbëreshë, por janë edhe të ’91-it. Edhe plus kësaj, për çdo muzeum në çdo qytet, në çdo krahinë edhe fshatra përveç busteve të Skënderbeut të madhit Skënderbe ka edhe të tjera atraksione që Italia i përdor për turizëm që janë lidhen Shqipërinë me Italinë. Po përmend vetëm që më bëri shumë përshtypje varri i Gentit, i vitit 156 para Krishtit. Në Shqipëri ka disa artikuj që kanë shkruar disa ë studiues shqiptarë, por nuk ka asgjë pothuajse. Pastaj unë vizitova galerinë ‘Ufizzi’ në Firence, ku ruhet portreti origjinal i Skënderbeut. Aty është jo fotografia por piktura e Skënderbeut e bërë në vitin 1543. Po kështu në Venecia...”, - thotë autori Mark Rica.
Ai përshkruan në libër edhe lidhjet e Shqipërisë me Italinë lidhur me luftërat që ka bërë Italia.
“Për shembull në lëvizjen Garibaldi të vitit 1840 deri në 860-nën kur u bashkua Italia, Xhuzepe Garibali mbështetjen kryesore e ka pasur nga shqiptarët, nga arbëreshët. Aty kam përshkruar çfarë lidhjeje shpirtërore, por edhe lidhje të forta bashkëpunimi ka pasur mes Italisë e Shqipërisë ndër shekuj. Italia, njerëzit, strukturat intelektuale e njohin shumë mirë marrëdhënien Shqipëri- Itali. Dhe larg çdo historie të politizimit, të luftërave të tjera, ne kemi qenë një perandori për 700 vjet me perandorinë romake dhe ky bashkëpunim është lidhur ngushtë nga ajo periudhë e deri më sot.”, - vijon ai.
Një kapitulli i dytë i kushtohet temave sociale, ndërsa libri mbyllet me përshkrimin e rreth 17 personazheve, që kanë ndikuar në jetën e autorit.
Melodia e Vargut
Sonila Strakosha
Te "Melodia e vargut" vjen Edward Estlin Cummings, poet, dramaturg, piktor, intekektual amerikan, një ndër figurat më të njohura të shek XX. Cummings njihet për përdorimin jo të saktë të shenjave të pikësimit si edhe të rregullave të tjera gjuhësore në vargun e tij.
Vargu është goditës, shpesh sarkastik, por brenda mbart emocion të fuqishëm dhe ndjenjë të jashtëzakonshme. Ndër poezitë më të njohura është ajo me titull: "Zemrën tënde e mbaj me vete" Në këtë poezi dashuria bëhet një me adhurimin, një ndjenjë pa kufi. Vajza e dashuruar, nuk është thjesht aq por vetë esenca e jetës së poetit.
Zemrën tënde e mbaj me vete
E mbaj në timen
Nuk ndahem kurrë
Kudo ku shkoj, je dhe ti, e shtrenjta ime;
Çdo gjë që bëj unë
Bëhet dhe prej teje dashuria ime.
Nuk i trembem fatit, se fati im je ti
E ëmbla ime
Nuk i trembem botës sepse e imja
Më e bukura, më e vërteta,
madhështorja, je ti.
Ky është sekreti ynë i thellë
Rrënjë e të gjitha rrënjëve
Syth i të gjitha sytheve
Qiell i qiejve
I një peme që quhet jetë
Që rritet e lartë
Aq sa shpreson shpirti
Dhe mendja fsheh.
Kjo është mrekullia që mban pezull yjet.
Zemrën tënde e mbaj me vete
E mbaj në timen.
Poezia e dytë: Je e lodhur
Në këto vargje shprehet qartë ndjenja e sakrificës dhe mbrojtjes së njeriut të dashur deri në vetëmohim.
Je e lodhur
(Besoj)
Nga grumbulli i përhershëm i jetës, veprimit.
Dhe unë
Eja me mua, atëherë
E le të ikim larg, shumë larg -
(Une dhe ti, vetëm, kupton!)
Je argëtuar
(Besoj)
Dhe vajte prishe lodrat e tua më të dashura
E tashmë je pak e lodhur
E lodhur nga gjërat që thyhen
Veç e lodhur
Dhe unë po ashtu
Por vij me një ëndërr në sy këtë mbrëmje
Dhe me një trëndafil trokas në portën
E dëshpëruar të zemrës tënde -
Hapma
Do të të tregoj vende që Askush s'i njeh
E nëse dëshiron
Vendin e përsosur për të marrë një sy gjumë.
Ah eja me mua!
Do ta shfryj Hënën, atë bulë të mrekullueshme,
që kurdoherë pluskon dhe një ditë;
do të këndoj këngën e lules
të yjve të mundshëm;
Do kuturis nëpër shtigjet e ëndrrës
derisa të gjej Lulen e Vetme
që do ta ruajë (mendoj) zemrën tënde vocërrake
kur hëna del nga deti.
Komente
