Foto ilustruese

Në pritje të vaksinës, ekspertët e shëndetësisë u kërkojnë amerikanëve të vazhdojnë të mbrohen nga koronavirusi

6 Dhjetor 2020, 21:15| Përditesimi: 6 Dhjetor 2020, 21:21

  • Share

Zyrtarët e lartë të shëndetësisë u thanë amerikanëve të dielën se duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur për të mbrojtur veten nga koronavirusi edhe pse vaksinat e para ka të ngjarë të jenë të disponueshme më vonë këtë muaj.

“Ne kemi nevojë që njerëzit të vazhdojnë angazhimin e tyre. Ju lutemi vini maskën dhe shmangni turmat e njerëzve në bare, restorante dhe ambjente të mbyllura”, tha Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar për emisionin 'E diela në Fox Neës'.

Pak njerëz mbanin maska të shtunën në mbrëmje në një tubim me mijëra pjesëmarrës në Xhorxhia të organizuar nga Presidenti Donald Trump në përpjekjen e tij me pak shanse për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Por zoti Azar tha se, "këshilla mbetet e njëjtë", për të shmangur ambjente të tilla të mbushura me njerëz dhe për të marrë masa paraprake.

Ka "ditë të ndritura përpara", tha zoti Azar, ndërsa rregullatorët shëndetësorë amerikanë do të vendosin të enjten nëse do të autorizojnë përdorimin emergjent të një vaksine të koronavirusit të prodhuar nga ekipi i kompanive farmaceutike Pfizer-BioNTech, dhe një javë më vonë, për një tjetër vaksinë të prodhuar nga kompania Moderna.

Sekratari Azar tha se nëse një grup ekspertësh në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve miraton vaksinën e kompanisë Pfizer, "punonjësit shëndetësorë mund të vaksinojnë brenda disa orësh" pacientët.

Autoritetet amerikane kanë vendosur që punonjësit mjekësorë dhe të urgjencës, si dhe punonjësit dhe banorët në azilet e pleqve kanë rrezikun më të lartë të prekjes nga virusi dhe do të jenë të parët që do të vaksinohen. Zoti Azar tha se 30 deri 40 milionë doza të vaksinës do të jenë në dispozicion deri në fund të vitit, me miliona doza të tjera që do të prodhohen në gjysmën e parë të vitit 2021. / Marrë nga VOA.

E.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?