Në Thumanën dhe Bubqin e 'lënduar', banorët pa bonus dhe jashtë hoteleve...nuk i kursejnë as 'skifterët'

29 Janar 2020, 20:18| Përditesimi: 29 Janar 2020, 20:35

  • Share

Report Tv është ndalur në Bubq e Thumanë për të vëzhguar situatën post tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili edhe pas dy muajve ka ende plagë, dhimbje dhe njerëz që kërkojnë t'i ofrohet dora e shtetit.

Dikur, lagje të banueshme me njerëz që ndërtuan të ardhmen e tyre si mundën, sot Mazh e Madhe në Bubq është kthyer në një jetesë mes çadrave dhe kontejnerëve. Mes banorëve janë edhe të miturit, të cilët në kushtet e vështira të dimrit të lagësht e të ftohtë jetojnë në pamje që s'do kishin nevojë për koment.

Familja e Bajram Mashës, familja Prrini e Daci në Mazhë të Bubqit bëjnë apel që t'u jepet bonusi i qirasë ose t'i krijohet një mundësi strehimi pasi po përballen me vështirësi.

"Mbrëmë jemi trishtuar shumë. Ishim në çadër, por edhe nga çadra nuk kishim besim. Dolëm jashtë. I kam paratë  pa paguar akoma 4 milionë lekë që kam marrë materialet për të riparuar shtëpinë para 26 nëntorit.  Kjo është e pabanueshme. Këtu jetojmë ne. Unë e shoh vetë që është e pabanueshme, nuk duam të na e thonë ata", tregon Bajram Masha

Sapo banorët shohin praninë e kamerës në fshat nisin të tregojnë përjetimet e tërmetit edhe atij të kaluar një natë më parë në 10 sekonda. Ka dhe prej atyre, të cilët thonë se nëse dikur çadrat i kishin për kafshët, sot, janë duke jetuar vetë.

"Shteti duhet të vijë të na shikojë. Jemi 6 familje. Kam 5 fëmijë të vegjël me gjilpëra, e kam vëllanë me pompa me astmë, vet jam sëmurë. Gjendja është kritike, flemë në dyshekë me ujë. Mos të ngrihet shteti me pa njerëzit? Çfarë ka sjellë shteti, çadra verore. Duhet të ngrihet Edi Rama që na premton gjëra, mos të turret vetëm për vota, por të vijë të na shikojë. Ku të shkojmë online me telefona 2 qind lekësha që kemi në dorë, kërkojmë një kontejner, kisha i ndan me interes, njerëzit ndajnë ushqime me interes", tha zonja nga Thumana.

Interesimit të Report Tv, njësia administrative Bubq, jashtë kamerave, iu përgjigj se nuk kanë asnjë problem dhe nuk kishin asgjë për të thënë.

Përball Bubqit qëndron Thumana në të cilën tërmeti 26 nëntorit shkaktoi 24 viktima dhe pasojat vazhdojnë të jenë të rënda.

Teksa ne mbërrijmë aty zonja Sadije Ruka kërkon ndihmë duke denoncuar se e kanë nxjerr nga hoteli në Shëngjin ku jetonte dhe ndodhet në qiell të hapur. Ajo rikthehet në banesën e saj në katin e dytë, ku gjithçka ka mbetur pas si orët e tmerrit të 26 nëntorit 2019, në pallatin që sot është i pabanueshëm.

"Njoftim për të dalë të gjithë banorët nga Bashkia e Krujës, për të dalë të gjithë banorët e Thumanës nga hoteli. Më nuk di nëna çfarë të thotë. Kemi paguar makinën kemi ardhur, i dhashë një sasi lekësh e nuk kisha më me vete. Tani bëni ç'bëni vet, nëna nuk ka më takat, mendoni si për nënat tuaja. Kanë dalë të gjitha familjet e Thumanës që ishin atje. Apeli është të na gjejnë një strehim me fut kokën të paktën, nuk dimë ku të shkojmë. Lekë për të paguar qiratë nuk kemi, se qiraja është shumë shtrenjtë" tha nënë Sejdie Ruka

Interesimit se ku do strehohet znj.Ruka, administratorja e Thumanës ju përgjigj me heshtje duke mos denjuar as të na pres në zyrën e saj.

Por si znj.Ruka janë edhe këta banorë që janë enden në hotelet e Shëngjinit dhe deklarojnë se nuk dalin dhe do të vetëflijohen.

"Kemi shkuar me aplikuar. Shtëpia është shumë e shtrenjtë nuk e marrim dot me qira. Na tha ai i bashkisë për të dalë. Kemi kërkuar por nuk kemi gjetur, është shtrenjtë qiraja. Me këto pare që jep bashkia nuk gjen dot shtëpi me qira', thotë një banor.

"Kanë ardhur këto të bashkisë na kanë thënë me datë 1 duhet të dilni. Ne nuk kemi ku të shkojmë, vetëm t'ia fusim këtej me not nja 100 metra derisa të lodhemi dhe pastaj mbarojmë" thotë një tjetër banor.

Çadrat nuk mungojnë as në Thumanë. Të tilla janë vendosur dhe në tre banesat e familjes Xhixha, që kanë pjesëtarë të sëmurë kronikë. Motra dhe dy vëllezërit denoncojnë se ata janë të vetmit që nuk kanë marrë strehim, por çadra që edhe shiun e fusin brenda.

Por sikur të mos mjaftonte tërmeti, hajdutët e orendive shtëpiake janë kthyer në problem dhe që përballen prej muajsh banorët, të cilët kanë lënë banesat për të fjetur e jetuar provizorisht në hotele.

Një prej banoreve, e cila është rikthyer të shoh shtëpinë, denoncon se si gjithçka i është vjedhur dhe ende asnjë autorë nuk është arrestuar.

"Nuk kemi marrë akoma bonus qiraje. Banesat i mbajnë shumë shtrenjtë. Unë kam pas qëndruar me qira këtu. Na kanë thënë që deri në fund do rrimë në hotel. Pronari na ka thënë mund të qëndroni deri në fund të marsit. Goca studion në Shëngjin. Erdha për të parë këtu pas tërmetit që ra mbrëmë. Hajdutët na kanë marrë mobiliet që kemi pasur brenda. Ne nuk ka merr gjumi atje pa i kujtuar viktimat.  Në hotel na kanë trajtuar shumë mirë. Edhe psikologia na ka ardhur atje. Na ka takuar", tregon banorja.

Nën fushë, rrënojat që dikur ishin pallatet 5-katëshe që morën jetën e banorëve të Thumanës, sot gjenden gjithandej gjurmët nga këpucët, çantat, sendet personale e deri tek fletoret e detyrave të fëmijëve.

E teksa kjo shqiponjë krahë thyer, e ndodhur mbi bibliotekën e improvizuar të librave dhe fletoreve, na jep përshëndetjen e fundit për të kujtuar se kjo pjesë shqiptare është e lënduar dhe askush s'duhet ta harrojë kaq shpejt.

1580325949_termet2.jpg

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?