Për të tretën ditë radhazi, nxënëset e kolegjit turk “Mehmet Akif” po protestojnë pasi shkolla e tyre u mbyll me vendim qeverie për shkelje ligjore. Nga oborri i kolegjit, brohoritën me thirrjet “Shkolla ime është zgjedhja ime”.
Ato premtojnë që do të vijojnë protestat derisa të anulohet vendimi pasi thonë se është në favorin e tyre. Mëngjesin e sotëm është zhvilluar mësim normalisht ndonëse qeveria ka lënë afat 3 javë që të lirohen ambientet.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e kolegjit turk thonë se do ta hedhin në gjyq cështjen.
Nxënësit e kolegjit turk Mehmet Akif kundërshtuan edhe pak ditë më parë me protestë vendimin e qeverisë për heqjen e licencës me argumentin se godina e re në Mëzes nisi mësimin pa u certifikuar nga ministria. Drejtori turk i kolegjit hodhi dyshime se kjo bëhet për shkak të kërkesave të përsëritura nga Erdogan, ndërsa ministria e Arsimit i mohoi këto aludime duke marrë përsipër edhe transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.