Tërmeti i 26 nëntorit e nxori jashtë funksionit shkollën 9-vjeçare të Pezë Helmësit, por kjo nuk pengoi që edhe nxënësit e saj të rinisin procesin mësimor. Bashkia e Tiranës, në dakordësi me prindërit e tyre, vendosën që deri në rikonstruksionin e plotë të shkollës, mësimi të vijojë në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi”.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti ndoqi fillimin e procesit mësimor të nxënësve të Pezë Helmësit në shkollën e përkohshme “Vëllezërit Kajtazi”, prej nga ku uroi nxënësit dhe prindërit për vitin e ri shkollor.
“Zgjodhëm t’i urojmë suksese për vitin e ri shkollor nxënësve të shkollës “Pezë Helmës”, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit të kaluar, por që do duhet të kalojë në rikonstruksion, e për këtë arsye kemi bërë një sistemim të përkohshëm për ta në një shkollë, e cila i plotëson jo vetëm të gjitha kushtet, si për numrin e nxënësve në klasa, ashtu edhe për zhvillimin sa më mirë të mësimit. Deri tani mësimi është zhvilluar me klasa të reduktuara, duke respektuar protokollin anti-Covid. Besoj se ky është një fillim i mirë për të gjithë fëmijët e “Pezë Helmësit”, por edhe për të gjithë fëmijët e Tiranës. Shumë suksese për të gjithë fëmijët dhe mësuesit për këtë vit, që nuk është i lehtë, por jo i pamundur, për të dalë me nota të mira dhe për t’ia dalë mbanë edhe kësaj radhe”, tha Ruseti.
Prindërit shprehen se ishte ide e mirë transferimi në këtë shkollë. “Transferimi në këtë shkollë është një ide e mirë derisa të rregullohet shkolla jonë”, shprehet njëri prej tyre.
Ndërsa nxënësit thonë: "Vij nga shkolla në Pezë Helmës. Nuk mund ta bënim mësimin atje sepse shkolla ishte e prishur. Kjo shkollë më duket shumë e mirë dhe besoj se do të mësohem shpejt. Në fillim, kur hymë në shkollë, mësuesi na mati temperaturën dhe na dezinfektoi duart. Kur hymë në klasë, të gjithë ishim me maska dhe mbanim distancën. Të gjitha bankat janë të larguara mjaftueshëm".
Shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është në proces rikonstruksioni, për shkak se u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.