Këtë të hëne ishte paraparë rikthimi në objektin tashmë të rikonstruktuar të nxënëseve të Gjimnazit të qytetit “Havzi Nela” të qytetit të Kukësit. Një gjë e tillë nuk ndodhi kjo për shkak të bërjes së testimit të plotë të sistemit të kaldajës për ngrohje dhe mos marrjes ende në dorëzim nga bashkia. Kjo ka sjellë revoltën e një grupi të nxënëseve të gjimnazit të cilët kanë protestuar sot para objektit të gjimnazit duke bojkotuar edhe mësimin këtë pasdite.
Kujtojmë rreth 1000 nxënës të këtij gjimnazi po e zhvillojnë mësimin pasdite në dy shkollat pritëse të qytetit të Kukësit, prej gati një viti ndërkohë që më herët drejtori i Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Kukës Albert Muja,në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile ka kërkuar kthimin sa më shpejtë të nxënëseve dhe stafit pedogogjik në shkollën e tyre.
Kthimi i nxënëseve ishte planifikuar në shtator të këtij viti në ditën kur fillonte edhe viti i ri shkollor. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos kompletimit të shkollës me banka e karrige e materiale të tjera mësimore didaktike dhe tenderimit të tyre. Sakaq nga një vëzhgim I bërë nga Report Tv brenda ambienteve të gjimnazit duket se gjithçka është gati për kthimin e nxënëseve në klasat e tyre tashmë të kompletuar ndërkohë që ngrohja ishte në funksion të plotë.
Pritet vetëm marrja në dorëzim e objektit nga Bashkia Kukës ndërkohë që kjo e fundit ka njoftuar se ende nuk ka një datë të saktë se kur do të merret në dorëzim dhe rikthimin e nxënëseve në shkollën e tyre.1.3 miliardë lekë është vlera e këtij investimit të filluar vitin e kaluar dhe është financuar nga ministria e arsimit dhe bashkia Kukës.