Bota

Nxënësit rusë nisin vitin e ri shkollor me libër të ri të historisë

1 Shtator 2023, 17:41
  • Share

Nxënësit rusë kanë nisur vitin e ri shkollor me fjalë inkurajuese nga presidenti, Vladimir Putin, dhe me një libër të ri të historisë, që sipas kritikëve synon të “nxisë zemërim ndaj ukrainasve” dhe ua shpjegon rekrutëve të ardhshëm “pse duhet të veshin uniformën ushtarake”.

Duke folur përmes video-lidhjes, Putin përmendi një listë arritjesh nga Qeveria, duke u thënë nxënësve se shteti po jep një shembull “në krijimin e kushteve për arsimimin e gjeneratës së re”.

Por, ai nuk përmendi librin e ri të historisë për shkollat e mesme, që veç tjerash, justifikon pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Libri i rishkruar i historisë do të përdoret nga nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë, apo vitit të fundit të shkollës së mesme. Ky tekst shkollor është “i mbushur me klishe të propagandës zyrtare ruse” dhe tenton të justifikojë veprimet e paligjshme të Rusisë, përfshirë aneksimin e paligjshëm të Krimesë më 2014 dhe pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, tha përmes një deklarate më 1 shtator organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International.

“Ky libër fsheh të vërtetën dhe keqinterpreton faktet lidhur me një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe krimeve që cilësohen në bazë të ligjit ndërkombëtar, të cilat janë kryer nga forcat ruse kundër ukrainasve”, tha Anna Wring, hulumtuese në Amnesty International për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

“Indoktrinimi i fëmijëve në një fazë të ndjeshme të zhvillimit të tyre është një përpjekje cinike për të çrrënjosur kulturën ukrainase, trashëgiminë dhe identitetin ukrainas dhe gjithashtu është një shkelje e të drejtës për arsimim”, shtoi Wright.

Vladimir Medinsky, ndihmës nacionist i Putinit, që ka shërbyer si ministër i Kulturës më 2012-2020 dhe është një prej autorëve të librit të ri, tha më 8 gusht se “pjesa lidhur me periudhën nga vitet ’70 deri në vitet ‘2000 është ripunuar krejtësisht”.

Putin, i cili shpesh flet dhe shkruan për historinë, e ka bërë “arsimimin patriotik” një prej tipareve më dalluese të qëndrimit të tij në pushtet prej më shumë se dy dekadash, përderisa kritikët e kanë akuzuar atë se kështu po tenton të ndryshojë të kaluarën.

Libri i historisë në mënyrë të rreme pretendon se para pushtimit rus të Ukrainës, këshilltarët e NATO-s në mënyrë aktive e përgatitën Ukrainën që ta “sulmonte Donbasin”, referencë për zonën në lindje të Ukrainës, që ka qenë nën pushtim të pjesshëm rus që nga viti 2014.

Po ashtu, aty thuhet se nëse Ukraina lejohet t’i bashkohet NATO-s, kjo do të çonte në një luftë shkatërruese që “me gjasë do t’i jepte fund civilizimit” dhe nuk do t’i linte mundësi tjetër Rusisë, pos ta parandalojë një luftë të tillë.

Libri i ri i historisë pushtimit të Ukrainës i referohet si “operacion të posaçëm ushtarak”, formulim që përdor edhe Putini. Nisja e pushtimit, thuhet në libër, u bë sepse “ishte në pyetje jeta dhe vdekja, ishte në pyetje historia e ardhshme e jona si popull”./REL

S.S/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?