3 administratorë subjektesh, të përpunimit të gurëve dekorative, janë vënë nën hetim nga policia, pasi nxirrnin pllaka dekorative dhe dëmtonin Parkun e Malit të Tomorrit, me anë të ekskavatorëve.
Sipas policisë, gjatë kontrollit janë vënë në hetim shtetasit A. B., 36 vjeç, banues në Poliçan, H. K., 48 vjeç, banues në Berat dhe B. L., 48 vjeç, banues në Berat, të tre administratorë subjektesh për përpunimin e gurëve dekorativë.
Policia thotë se gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë gjetur 3 mjete ekskavatorë, që dyshohet se i përdornin këta shtetas.
Gjithashtu, në nisje të kontrolleve, gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht dhe 3 shtetas të tjerë (1 shofer kamioni dhe 2 administratorë subjektesh), pasi dyshohet se kanë nxjerrë pllaka guri dekorative, në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale "Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore".
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm.