I Dërguari i SHBA për Ballkanin perëndimor Gabriel Escobar, e konsideroi si “veprim të njëanshëm i cili prodhon pasoja” çështjen e ndalimit të dinarit në transaksionet e brendshme bankare në Kosovë. Në deklaratën e tij për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug Escobar iu referua qëndrimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”
Sipas Escobar shumë nga këto çështje parashikohen të zgjidhen përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ku në draft-Statutin e BE-së përcaktohet se do të financohej nga Serbia përmes një banke të regjistruar dhe licensuar nga Banka Qendrore e Kosovës, që do t’i nënshtrohej vëzhgimit dhe transparencës brenda kornizës ligjore të vendit.
Ndërkaq ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi për Tanjug se SHBA e ka shprehur që në fillim shqetësimin e saj në raport me atë se si ndikon ajo te njerëzit e zakonshëm”.
“Nuk dua të hyjë në detaje se çfarë po ndodh në Kosovë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë tejet e qartë rreth shqetësimeve ndaj kësaj përpjekje për të ndaluar dinarin dhe çfarë kjo do të thotë për njerëzit normalë mesatarë; ShBA ka qenë shumë e qartë”.
Një ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës bëri të ditur se e muaj kohë tranzitore do të jenë të mjaftueshme për të vënë më pas në zbatim vendimin për heqjen e dinarit serb në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti tha se vendimi nuk zhbëhet, ndërsa serbët e Kosovës protestuan në Mitrovicë.