Kronikë

Ruante anijen sekuestruar me naftë kontrabandë në Durrës/ Në pranga polici, mori 10 mijë € ryshfet dhe zëvendësoi naftën me ujë! Në kërkim 2 të tjerë

9 Shkurt, 13:53| Përditesimi: 9 Shkurt, 17:51

  • Share

DURRËS- Efektivi i Policisë së Durrësit, Armand Marvataj, 21 vjeç, të cilit i ishte caktuar detyra të ruante anijen “AYAZANOYBYA” të Tanzanisë, e sekuestruar më 13 janar të këtij viti me 200 ton naftë kontrabandë, u arrestua këtë të shtunë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në akuzë për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, Marvataj mori ryshfet 10 mijë euro nga Juxhin Koka, 31 vjeç, tashmë i shpallur në kërkim, që të lejonte nxjerrjen e qindra litrave naftë nga anija, punë që e bëri në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes.

Burime pranë AMP dhe Policisë së Durrësit bëjnë me dije se paratë e marra ryshfet janë gjetur dhe sekuestruar, ndërsa polici Marvataj ka pranuar para kolegëve të tij marrjen e tyre kundrejt nxjerrjes së naftës. Nxjerrja e lëndës djegëse është bërë në mes të ditës, rreth orës 15:00 të 27 janarit në Porto Romano, ku anija ishte ankoruar që prej sekuestrimit me vendim gjykate.

Agjentët e AMP dhe Policia e Durrësit, bënë ri-këqyrje të anijes, përfshirë edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë në Porto Romano, të cilat kanë filmuar momentet e nxjerrjes së naftës, e cila është marrë me tub përmes një pompe dhe është ngarkuar në autobot. Nga ekspertimi i mostrave të marra në anije rezultoi se nafta ishte zëvendësuar me ujë.

Përveç Juxhin Kokës, në kërkim u shpall edhe një 34-vjeçar dhe të dy janë në akuzë për kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore, vjedhje e kryer në bashkëpunim dhe korrupsioni aktiv. Përveç tyre, në hetim në gjendje të lirë u morën 7 anëtarë të ekuipazhit, nga 22 deri në 53 vjeç, mes tyre 1 shqiptar, 5 sirianë dhe 1 egjiptian. Për këtë procedim materialet janë referuar në SPAK, që do të vijojë hetimet në mënyrë të plotë mbi rastin.

Anija "Aya Zanoubya" transportonte materiale ndërtimi dhe mbante flamurin e Tanzanisë, por brenda kishte fshehur edhe sasitë e konsiderueshme të naftës. Një ditë pas saj, një tjetër anije me emrin “Besart” u sekuestrua po më naftë kontrabandë në sasi 400 ton. Të dy operacionet kundër kontrabandimit të sasive të mëdha të naftës, u zbuluan dhe finalizuan me ndihmën e Guardia di Finanza në Durrës. Dyshohet se nafta kontrabandë është ngarkuar në det të hapur nga një tjetër mjet detar.

Personat në hetim
1. L. K., 29 vjeç
2. ⁠ F. I., 23 vjeç (sirian)
3. ⁠A. Sh., 22 vjeç (sirian)
4. ⁠ S. Sh., 25 vjeç (sirian)
5. ⁠ H. B., 47 vjeç (sirian)
6. ⁠S. B., 53 vjeç (egjyptian)
7. ⁠W. B., 42 vjeç (sirian)

 

Paratë e sekuestruara 

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës finalizuan me sukses operacionin “TURNI”, ku pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë i mundur arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë së Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, Inspektor Armand Marvataj, 21 vjeç, i dyshuar për "Shpërdorim detyre" dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Juxhin Koka, 31 vjeç dhe D. M. 34 vjeç, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve të lartpërmendur është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27.01.2025, rreth orës 15:00, ata kanë bërë nxjerrjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga Anija “AYAZANOYBYA” me flamur të Tanzanisë, që ishte ankoruar dhe sekuestruar në Porto Romano, e cila ka qënë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria Durrës. 

Nga hetimet e kryera nga AMP dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës ka rezultuar se punonjësi i policisë Armand Marvataj, ka lejuar kundrejt pagesës prej 10,000 euro, të dhënë nga shtetasi Juxhin Koka, nxjerrjen e sasisë së naftës të ndodhur në anije, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit.

Gjithashtu, në bashkëpunim janë kryer të gjitha veprimet proceduriale, duke përfshirë ri-këqyrjen e anijes, këqyrjen e pamjeve filmike në Porto Romano Durrës, marrje deklarimesh dhe marrjen e mostrave për ekspertim në të gjithë zonat e balastarve dhe ka rezultuar se sasia e naftës që ndodhej në këto hapësira në momentin e sekuestrimit (datë 12.01.2025) ishte zëvendësuar me ujë.

Në vijim të veprimeve, janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” si më poshtë;

1. L. K., 29 vjeç
2. ⁠ F. I., 23 vjeç (shtetas sirian)
3. ⁠A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian)
4. ⁠ S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian)
5. ⁠ H. B., 47 vjeç (shtetas sirian)
6. ⁠S. B., 53 vjeç (shtetas egjyptian)
7. ⁠W. B., 42 vjeç (shtetas sirian)

Materialet proceduriale do referohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për hetime të mëtejshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?