Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës mirëpriti një ngjarje të veçantë kulturore dhe njëkohësisht humanitare.
Nxënësit e klasës së 3 të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” ngjitën në skenë pjesën teatrale “Sonte nuk jam vetëm”.
Të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për të mbështetur fëmijët talasemikë, ndërsa vet shfaqja ka për synim edhe ndërgjegjësimin që kërkon shoqëria përballë fëmijëve jetimë.
“Kjo është një shfaqje që vihet për herë të parë ne qendrën kulturore te fëmijëve në Durrës. Me fëmijë të 7-8 dhe 9 vjeç. Nuk është vetëm një shfaqje kulturore artistike por është një shfaqje me një ndërmarrje sociale shume te veçantë. Fondet qe janë mbledhur brenda shkollës do të shkojnë për fëmijët talasemikë. Ka një mision te veçante fëmijët për fëmijët”, shprehet Alma Dema, pedagoge.
Prapaskenat dhe organizimi janë realizuar me përkushtim nga mësueset Enkeleda Shahini, kujdestare e klasës III-B, dhe Denisa Gajda, mësuese e edukimit fizik.
“Këto bën një kontribut për fëmijët talasemikë dhe unë mendoj qe kjo është një gjë shumë e bukur, u tregoj fëmijëve se arti dhe humanizmi ecën dorë për dore. Një shembull shume i mirë për të gjithë fëmijët që kur jemi të bashkuar ne bëjmë ndryshime të mëdha”, thotë Enkelejda Shahini, mësuese.
Shfaqja “Sonte nuk jam vetëm” erdhi si një shembull frymëzues i edukimit përmes artit dhe solidaritetit, duke dëshmuar se edhe fëmijët mund të jenë protagonistë të ndryshimit shoqëror dhe mbështetjes ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në vështirësi.
Komente
